Në një komunikim zyrtar përpara pak minutash Ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu foli rreth lehtësimit gradual të masave shtrënguese kundër përhapjes së koronavirusit.
Ajo bëri me dije se do të jenë 4 faza me afat minimal 2 javë secila.
Ministrja shtoi se duke filluar nga java e ardhshme mund të ketë një liri-dalje 2 orë e 30 minuta.
“Nëse treguesit do të jenë të qëndrueshëm, nga java e ardhshme, do të rrisim në 2 orë e 30 minuta fashën orare për individët. Do të hapim një kategori biznesesh, që nga tregtimi i veshjeve, këpucëve, tekstileve, mobiljeve, ndriçimit, pajisjeve elektronike, dyqaneve të luleve etj, për të lehtësuar ekonomitë familjare. Do të lejojmë transportin taksi nga qyteti në qytet me vetëm një person pasagjer, sipas masave të përcaktuara në protokollin specifik për udhëtimin me taksi”, bëri të ditur ministrja.
“Vlerësimi i çdo hapi të ndërmarrë do të analizohet çdo dy javë. Në rast se nuk do të kemi tregues të qëndrueshëm të situatës epidemike, plani parashikon edhe rikthim të masave të ashpra. Në rast se situata do të vijojë të jetë e qëndrueshme pas analizave të përdyjavëshme, pra nëse nuk do të kemi nevojë për frenat e emergjencës që janë gjithmonë aty, atëherë, në fillim të muajit Maj do të zgjerojmë lëvizjen e makinave brenda një bashkie, me fasha orare edhe për ata që duan të shkojnë për pazar si dhe do të lehtësojmë më tej lëvizjen e këmbësorëve brenda qyteteve”, shtoi Manastirliu.
Bizneset
“Çdo biznes i hapur dhe që do të hapet në vijim do të ketë detyrim ligjor zbatimin e protokolleve për sigurinë e punonjësve dhe qytetarëve, ndryshe, do të penalizohet nga struktura e re e Task-Forcës ndërinstitucionale që po ngrihet për garantimin e zbatimit të rregullave të reja”, deklaroi.
“Bizneset kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për të zbatuar me përpikmëri masat për kushtet e punës të përshtatshme, masat higjieno-sanitare, dezinfektimin e ambienteve, distancimin fizik të punonjësve dhe klientëve, sipas protokolleve te miratuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, bazuar ne nivelet e rrezikut të bizneseve. Për bizneset ku rreziku i përhapjes së infeksionit është më i lartë, do të vendosen monitorues nga Ministria e Shëndetësisë. Bizneset do të penalizohen nëse nuk do ti kenë këto dokumente bazë dhe nëse nuk zbatojnë protokollet përkatëse”, deklaroi Manastirliu gjatë fjalës së saj.