Përgatitur nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” në kuadër të projektit “Sigurimi i kushteve të duhura të punës për gratë punëtore në fabrikat e veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri” të mbështetur nga Olof Palme Centre International, përmes mbështetjes financiare të Qeverisë Suedeze. Përmbajtja është përgjegjësi e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Qeverisë Suedeze ose të Olof Palme International Centre.
Për shumë nga 60000 gra e vajza punonjëse në Industrinë e Prodhimit të Veshjeve të Sipërme dhe të Poshtme (konfeksione dhe këpucë) në Shqipëri, të ardhurat e tyre nga qepja e rrobave dhe pjesëve të ndryshme të këpucëve për punëdhënësit e tyre, të cilët e marrin porosinë nga vendet fqinje, kryesisht Italia, për llogari të klientëve të cilët përfshijnë disa nga kompanitë më të mëdha të modës në botë, mund të jenë kritike për mbijetesë dhe mirqenie, në kushtet e masave të marra për shkak të COVID-19.
Në bazë të sondazheve të kryera nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, në periudha të ndryshme që kur filloi mbyllja për shkak të masave të marra për të parandaluar përhapjen e COVID-19, shumë prej këtyre grave janë hequr tashmë nga listë pagesat, pra janë pushuar ose larguar vetë nga puna për disa arsye të rëndësishme të renditura më poshtë:
- Kompanitë shqiptare në këtë biznes kanë mbetur me porositë e dhëna në shkurt e fillim marsi dhe nuk e kanë të qartë nëse do të vazhdojnë me po të njëjtat kushte/kontrata apo porosi.
- Gratë e vajzat që nuk mund të arrinin vendin e punës pa një mjet transporti e kanë të pamundur të paraqiten në punë.
- Gratë që kanë fëmijët në shtëpi për shkak të mbylljes së shkollave, kopshteve e çerdheve, gjithashtu e kanë pothuaj të pamundur të punojnë.
Ministrja e Financave, Anila Denaj parashikon që për një muaj e gjysmë të ketë bllokim të aktiviteteve ekonomike dhe se pritet të humbasin 50-60 mijë vende pune.
“Ka të bëjë me një impakt të padëshiruar të situatës. Edhe fondi i garancisë sovrane, i cili nuk është i detyruar, por një marrëdhënie kontraktuale mes dy klientëve, biznesit dhe bankës, u ofrua për këtë qëllim, që bizneset të mos largojnë punonjësit nga puna. Por jemi të ndërgjegjshëm, që do të ketë një rritje të numrit të të papunëve që do të arrijë në 50 mijë -60 mijë persona në 1-1,5 muaj”– shprehet znj.Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.
Ajo u kërkoi bizneseve që të respektojnë Kodin e Punës e veçanërisht nenin 144.
Ministrja sqaroi më tej se për sektorin që aktualisht është më i prekuri dhe numëron më shumë punonjës, ai fason, qeveria ka menduar të ndërhyjë për të ridimensionuar kontratat. “Ne sot po diskutojmë që për industrinë fason të bëjmë një shndërrim për kontratën e porosisë, nga për rroba që nuk po kërkohen aktualisht në Itali si pasojë e epidemisë, në prodhim të maskave apo produkteve të tjera që ka nevojë tregu aktualisht si tregu i brendshëm dhe ai i jashtëm. Kjo bëhet për të mbajtur njerëzit në punë, jo me fond page, por me sigurim të punës.”– tha ministrja e financave.
Pra mendohet që nga kjo krizë e krijuar do të humbasin shumë vende pune, por deri tani nuk ka një projeksion të qartë se 60.000 vendet e punës për të cilat flet ministrja Denaj i takojnë këtij apo atij sektori. Por është e qartë që me anullimin apo pezullimin e porosive të veshjeve dhe këpucëve, mbylljen e njësive apo qendrave tregëtare kudo në botë ky sektor mendohet të futet në vështirësi të papërballueshme.
Në një letër drejtuar Qeverisë Shqiptare gjatë kësaj periudhe, Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “Proeksport Albania”, e cila përfaqëson dhe mbron interesat ekonomike të kompanive që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me material porositësi (Fason) ata deklarojnë:
- Ndodhemi në kushtet e pamundësisë për të vijuar pagesën e pagave të punonjësve, si për ndërmarrjet që punojnë, ashtu edhe për ato që janë në pamundësi të vijimësisë së kontratave. Për të mos u dukur si paradoks, për pjesën e parë të ndërmarrjeve, ju sqarojmë se, edhe pse punojmë në kushtet të vështira, nuk kemi marrë dhe nuk shpresojmë të marrim asnjë pagesë nga kontraktorët, sepse pagesat janë shtyrë në kohë për shkak se tregu nuk siguron shitjen e produkteve tona për arsye të Pandemisë Globale.
- Ndodhemi në kushtet e pamundësisë edhe për të negociuar me bankat tregtare, ngadalësia e të cilave për të aktivizuar shtyrjen e kredive apo aplikimin për kreditë e mbështetura në garancinë sovrane, është e pafalshme. Ne nuk mund të aplikojmë për kredi, kur nuk njohim asnjë nga kushtet, kur këto nuk i njohin as bankat dhe për më tepër kur deklarohet se normat e interesit të kësaj kredie me garanci bankare fillojnë te pragu 3 për qind e lart. Kjo është e papranueshme dhe jologjike në kushtet në të cilat ndodhemi! Bankat janë biznese si ne, por bankat nuk mund të sigurojnë një normë të tillë fitimi në kushtet e tanishme. Ne kërkojmë ndryshimin e menjëhershëm të kësaj strategjie të bankave tregtare dhe një rol më të ashpër të Bankës së Shqipërisë.
- Ndodhemi në kushtet e pamjaftueshmërisë së likuiditetit duke filluar nga ky moment dhe nuk mund të marrim përsipër pagesën e pagave të punonjësve tanë.
Sipas të dhënave të marra nga z. Bardhi Sejdarasi, përfaqësues i Shoqatës së Prodhuesve Eksportues “PROEKSPORT ALBANIA”, numri i ndërmarrjeve, sipas deklarimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, është 669 në fund të vitit 2019. Ndërsa, numri i të punësuarëve sipas deklarimit zyrtar është 69 mijë punonjës/e, nga të cilët 91,7 % janë gra dhe vajza, rreth 95 % e të cilave vijnë nga zonat suburbane.
Bazuar në informacionet më sipër është mjaft e qartë se për rreth 70.000 punonjëse të sektorit në Industrinë e Prodhimit të Veshjeve të Sipërme dhe të Poshtme (konfeksione dhe këpucë) në Shqipëri, të ardhurat e tyre do të jenë kritike për të mbijetuar dhe për të patur bukë në tryezat e familjeve të tyre. Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia COVID-19 ka filluar pasi në bazë të sondazheve tona, shumë gra tashmë kanë mbetur të papuna dhe janë hequr nga listë pagesat e këtyre ndërmarrjeve.
Kjo krizë ka efekte të njëpasnjëshme pasi filloi si pjesë e masave për distancimin shoqëror, e cila solli uljen e kërkesave për rroba të reja pasi njësitë tregëtare janë mbyllur dhe blerësit qëndrojnë në shtëpi, duke ndaluar blerjen e sendeve të luksit dhe gjërave jo thelbësore. Nga ana tjetër shitësit me pakicë po bëjnë gjithçka munden për të shmangur shtimin e mallit të tyre dhe mbajtjen e stoqeve të pashitura. Nuk ka të dhëna të sakta se sa është dëmi për Shqipërinë nga ndalimi i porosive për këtë sektor. Ndoshta në muajt e ardhshëm do të kemi një përllogaritje të parë nga perspektiva gjinore.
Bazuar në të dhënat e z.Bardhi Sejdarasi, deri në fund të vitit 2019, tekstilet dhe këpucët janë zëri kryesor i eksporteve, me rreth 40% të totalit, sipas Institutit të Statistikave. Gjithashtu, totali i produkteve të shitura jashtë vendit për periudhën janar-dhjetor 2019 ishte rreth 300 miliardë lekë, nga të cilat 118 miliard lekë ishin veshje dhe këpucë, që për këtë sektor do të thotë 4,5 % më pak në bazë vjetore, krahasuar me një vit më parë.
Histori të trishtuara
Në mënyrë që të kishim një tablo më të plotë ne pyetëm gratë dhe vajzat punonjëse të këtyre fabrikave dhe ndërtuam 4 histori reale të tyre të cilat I gjeni më poshtë:
U.P është një 47 vjeçare, banuese në Bathore e cila punon prej 20 vitesh në sektorin e industrisë tekstile dhe këpucëve. Aktualisht punon në një nga fabrikat e këpucëve në Bathore. U.P është nënë e tre fëmijëve, 2 vajzave adoleshente dhe një djali 9 vjeçar. Bashkëshorti i saj, si shumë burra të tjerë në Shqipëri ka 4 muaj që është larguar në emigracion në kërkim të të ardhurave më të mira për të ndihmuar familjen.
Në kushte mjaft të vështira ekonomike, U.P përpiqet e vetme të jetë forca e vetme dhe të plotësojë me sa të mundet kushtet e fëmijëve. Por vallë, sa shumë kushte mund t’i plotësojë një nënë 3 fëmijëve të saj, kur maksimumi që ajo merr ne fund të muajit është 23.000 lekë të reja? Dhe kur flasim për kushte, nuk e teprojmë më pritshmëritë e larta. Bëhet fjalë për një stil minimalist jetese, gati në kufi të mbijetesës. Kjo nënë dëshiron të mund t’i paguaj fëmijëve internetin, ku të ndjekin mësimet.
Dëshiron që secila nga vajzat të ketë një palë atlete për vete dhe të nxjerrë djalin njëherë tek lodrat. Situata e COVID-19 e ka rënduar edhe më shumë situatën familjare të U.P. Fabrika ku ajo punon, nuk e paguan për ditët të cilat e detyron të qëndrojë në shtëpi si pasojë e pandemisë. Bashkëshorti tashmë mbetet i bllokuar dhe pa punë larg shtëpisë pa asnjë mundësi rikthimi. Muajin prill, kjo nënë dhe tre fëmijët e saj do duhet ta kalojnë me vetëm 15. 000 lekë të rinj. Ndërkohë ajo dhe bashkëshorti kanë marrë dikur një kredi 200000 lekë te Banka NOA. Për shkak se punët nuk vajtën siç i kishin menduar ata nuk e shlyen dot kredinë dhe ajo tani është rritur së tepërmi nga kamatvonesat. Dosja e kredisë së tyre ka shkuar në përmbarim dhe asaj I është komunikuar që do të fillohet të mbahet nga paga e saj.
Zonja M, 52 vjeç, banuese në Shkodër është punonjëse prej vitesh e sektorit së industrisë tekstile dhe këpucëve. Aktualisht punon në një nga fabrikat e veshjeve në Shkodër. Prej 15 vitesh, e mbetur e ve M. mundohet me mish e me shpirt të nxjerrë në jetë sa më parë dy djemtë e saj të mbetur jetim në moshë të vogël. Ata sot janë 18 dhe 15 vjeç. Të dy të dalluar në shkollë, por me sy që nuk qeshin shpesh.
Arsyet për këtë? Të shumta! Burimi i të cilave nis tek i vetmi burim të ardhurash që hynë në atë shtëpi. Jo më shumë se 26.000 lekë të rinj që znj. M. mund të sjellë në fund të çdo muaji nga puna që bën. Ushqime, veshmbathje, ujë, drita nuk duhet të jenë luks, por për znj.M. dhe djemtë e saj, janë! I gëzohen dritës, pasi nuk kanë qënë të pakta netët që kanë ndjenjur në errësirë. Situata e COVID-19, ka bërë që për familjen e saj gjërat të vështirësohen edhe më shumë. Qysh prej datës 11 mars ajo nuk punon. Nuk ka asnjë informacion se kur puna do të rifillojë. Marsi për të u mbyll me vetëm dhjetë ditë punë, dhe kjo nënkupton që muajin prill, ajo me dy djemtë e saj do duhet ta kalojnë me vetëm 12.000 lekë të rinj.
D, 29 vjeç, banuese në Durrës, punon prej 8 vitesh në sektorin e tekstileve. Aktualisht ajo punon në një prej fabrikave që prodhojnë veshje. Me sektorin atë e ka njohur nëna dhe motra e saj më e vogël. Njohja nuk ka qenë nga dëshira, thotë ajo, por nga nevoja dhe pamundësia për një vend më të mirë. D. është paksa ndryshe nga koleget e saj në fabrikë. Ajo ka kryer studimet e larta dhe master profesional në degën Administrim Publik në Universitetin “Aleksandër Moisiu në Durrës”.
Ajo vjen nga një familje e madhe prej 6 motrash. Aktualisht në shtëpi jetojnë nëna, babai dhe 4 motrat, të cilët ushqehen me rrogën e saj dhe të babait. Drama e saj është më e madhe, sepse ajo kupton që rroga nuk është i vetmi problem me të cilin ajo ndeshet. Sa herë kthehet nga puna ajo mbart me vete një stres shumë të madh që i atribuohet vetëm punës. Merr me vete të bërtiturat, ulëriturat e nëpërkëmbjen e diskriminimin që gjithqysh e përjetojnë të gjitha gratë që punojnë në atë fabrikë. Sjellja çnjerëzore e drejtuesve, mungesa e respektit dhe solidaritetit atë e mundojnë edhe më shumë.
B.D. banuese në qytetin e Kuçovës, punëtore prej vitesh në një nga fabrikat “fason” në Kuçovë. Ajo është nënë e dy vajzave. Zonja ka qenë shpesh pjesëmarrëse në akivitetet e zhvilluar nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” në Kuçovë në lidhje me të drejtat e grave në vendin e punës. Ajo e shqetësuar gjithmonë ka ngritur zërin përsa i përket kushteve të punës apo pagesës mjaft të vogël, duke qenë se ajo paguhet vetëm me 100 lekë ora. Të ardhurat familjare janë goxha të ulëta për familjen e tyre. Bashkëshorti I saj është invalid në karrige me rrota.
Pagesa mujore që ai merr si i tillë nuk mjafton as për të blerë ilaçet për të cilat ai ka nevojë. Goditja e paparishikuar nga COVID-19, ka bërë që fabrika ku ajo punon të qëndrojë e mbyllur deri në një urdhër të dytë. Për muajin mars ajo nuk pret më shumë sesa 12.000 lekë pagesë e barazvlefshme vetëm për 11 ditë pune në mars, ndërkohë që për dy javët e mbetura të marsit dhe prillit pretendohet se fabrika do të qëndrojë mbyllur dhe askush nuk do të paguhet.