Kryeministri i vendit Edi Rama ka lajmëruar se do të sigurojë financime nga jashtë. Sipas tij, pas 15 prillit do vendoset për zgjerimin e ndihmës.
Rama theksoi se ne do të dalim më të fortë nga kjo luftë dhe se është optimist se do të sigurojmë financime shtesë dhe më tej Kryeministri Rama foli edhe për personat që punojnë në të zezë. Ai shton se nuk mund të bëjë dot asgjë sy mbyllur në këtë drejtim.
“Ndërsa përfituesit e mundshëm nga zgjerimi i paketës, do i përcaktojmë jo më parë se 15 Prilli se duhet të shikojmë të dhënat nga fronti i luftës. Ne po punojmë për financime edhe nga jashtë vendit, por lufta nuk është lokale dhe as rajonale, por lufta e tretë botërore dhe kanalet nuk janë zgjeruar dhe të gjithë po shikojnë shtëpitë e tyre. Taksiratet e vendeve të mëdha janë edhe më të mëdha, sepse ne jemi mësuar me pak, dhe do të bëjmë si do të bëjmë do të dalim më të fortë nga kjo luftë. Atij që është mësuar me shumë do i duhet të kënaqet me pak. Jam optimist se do të sigurojmë financime shtesë për të qenë më pak të shtrënguar për periudhën pas paketës. Në luftë luftohet për ekzistencë. Për bukë nuk do të vdesë askush, jo për dreka dhe darka në kohët normale. E di që kemi një problem me ata që punonin me të zezë. Por nuk mund të bëjmë dot asgjë sy mbyllur në këtë drejtim. Nuk e ndajmë një ndihmë për kë punonte në të zezë, pastaj i bie që të vijë kushdo dhe të thotë më jepni një pagë lufte se kam punuar në të zezë. Në u ndihmojmë nëse na tregoni ku keni punuar në cilën kompani dhe kush iu ka paguar. Dhe kjo jo për të penalizuar punëdhënësin, por për të verifikuar rastin dhe për t’iu dhënë hakun” përfundoi Rama.