Ditën e nesërme edhe procedura për të bërë pazar në vendin tonë duhet të shoqërohet me lejen përkatëse.
Mirëpo ashtu sic ka njoftuar më herët edhe kryeministri Edi Rama, kategoria që përjashtohet janë pensionistët.
Ndërkohë ditën e sotme, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shpjeguar procedurën se si funksionon e gjithë kjo skemë ndihme për ta.
Veliaj u shpreh se kush nuk është për momentin në databazën e Bashkisë, duhet të sinjalizojë fillimisht për të marrë ndihmën e nevojshme.
“Fillon fillimisht me një sinjalizim, pra nëse nuk je në databazën tonë, pra mund të kesh ardhur tani në Tiranë ose nuk je regjistruar kurrë pranë njësisë administrative, fillon me sinjalizim.
Mund të ndodhë online tek bashkëqeverisja, pra e gjithë Kryeministria është kthyer në një mega central, “Shqipëriaqëduam.al”, kati i parë i Bashkisë është kthyer në një central në telefon, 0800 0888. Numri është falas, pra mund t’i bjerë dikush nga çfarëdo telefoni, mjafton që të jetë një rast real, pasi kemi patur edhe raste abuzimi. Po duam që të jenë raste reale, pasi janë energji njerëzore.
Pasi është marrë sinjalizimi ose nga “Shqipëriaqëduam.al”, ose nga 0800 0888, ose tek aplikacioni “Tiranaime”, menjëherë i shkon njësisë administrative që bën verifikimin. Nëse rasti na rezulton i vërtetë, atëherë pasohet me paketën e ndihmave.
Pse e them këtë, kemi pasur plot raste, më vjen keq të them, por në këto orë që jemi tani në mesditë, dy të tretat e rasteve kanë qenë o gallatë, o kalim kohe, gjë që nuk shkon. Kështu që na duhet ta respektojmë këtë zinxhir sinjalistike, ose me telefon, ose me aplikacionin, ose online, dhe menjëherë njësia bën verifikimin, dhe pastaj ofron gjithë ndihmën”, theksoi Veliaj.
Ai shtoi se të gjithë grupet e punës janë në terren për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe veçanërisht të moshuarve që janë vetëm.
“Tirana ka një kontingjent prej 100 mijë pensionistësh. Posta ka çuar në 90 mijë prej shtëpive pensionin, ndërkohë që ne kemi identifikuar sipas inventarit tonë të Gjendjes Civile, indeksti tonë, rreth 35 mijë të cilët janë klasifikuar formalish që jetojnë vetëm. Disa herë ky është vetëm një formalitet. Do të thotë që jetojnë në të njëjtin qytet por mund të kenë ndarë kurorat për të përfituar ose nga ndihma ekonomike, ose nga bonusi I qirasë, apo kredia e butë. Ne planifikojmë që janë rreth 5 mijë pensionistë që janë realisht vulnerabël. Ndaj dhe ne do të donim që fokusin më të madh ta kishim realisht tek këta 5 mijë. Kemi bërë një inventarizim në të 27 njësitë, kemi një kontigjent ushqimor deri për tre muajt e ardhshëm, dhe nëse duhet na vazhdojmë e shtojmë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë theksoi se është bërë edhe një mbledhje për të transferuar buxhetin për të blerë ushqime me shumicë për njerëzit në nevojë, ndërkohë që do të shpërndahen edhe ilaçet për ata që kanë nevojë.
“Ne do të bëjmë shërbimin e këtyre që janë realisht të vetmuar në shtëpi. Ky shërbim konsiston në pakon ushqimore, ose në disa raste dhe me dërgimin e ilaçeve, ose edhe në bërjen e pazarit. Mund të ketë të moshuar që mund të thonë kam përfituar nga reforma e pensioneve, thjesht na duhet dikush që ka leje për të dalë. Ndaj që thirrja për të gjithë qytetarët është që, në mënyrë që ne t’ia bëjmë ballë kësaj sfide tani që janë shtuar edhe kontigjenti i pensionistëve në nevojë, pra përveç atyre që janë në ndihmë ekonomike, të prekur nga tërmeti, persona me aftësi të kufizuar, shtohet dhe ky kontigjent i pensionistë, nuk ia dalim dot nëse djemtë dhe vajzat e këti qytet, bijtë dhe bijat nuk marrin përgjegjësi”, tha ai , ndërsa ka një ftesë edhe për të rinjtë e kryeqytetit. “Ftesa ime sot është “Adopto një gjysh ose një gjyshe”. Kemi bërë adopto një shkollë, një konvikt, një kopësht, një cerdhe, një pemë, tani një gjysh ose një gjyshe si një mënyrë për të thënë “ej, unë do dal të bëj pazaret e mia, pse mos t’i bëj edhe të komshies”. Kjo ndihmë dhe ky solidaritet është sot jetik që t’ia dalim me sukses kësaj sfide”, deklaroi Veliaj.