Doktor Rubin Topi, i cili është mjek Specialist Oftalmokirurg pranë Klinikës së Syrit “SEE WELL” dhe Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 1 në Tiranë ka dhënë një sërë këshillash të vlefshme se si duhet të mbrohemi nga koronavirusi, i cili prej dy javësh është prezent edhe në Shqipëri. Doktor Topi ka zbuluar se një nga rrugët e infektimit nga Covid-19 është edhe depërtimi përmes syrit dhe mukozave të tij apo konjuktivës, ndërkohë që ka evidentuar edhe disa nga shenjat e para të infektimit. Në këtë kontekst, mjeku i njohur Specialist Oftalmokirurg iu bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë me rigorozitet këshillat e mjekëve, ndërsa u shpreh optimist se me ngrohjen e motit shpreson që i nxehti ta zhdukë ose të paktën ulë shume ndjeshëm dhe ngadalësojë kurbën e infektimit nga Covid-19. Sipas tij, historia ka treguar se mjekësia, shkenca dhe qenia njerëzore ka triumfuar në kësisoj rastesh, duke shtuar se të gjithë bashkë me përgjegjësi dhe kujdes do ta fitojnë këtë luftë kundër koronavirusit.
Po, Shqipëria ashtu si edhe i gjithë globi janë në një situatë Pandemie dhe krejt jashtë të zakonshmes pas përhapjes brenda pak muajsh në të gjithë botën të Koronavirusit të ri Covid-19 ose Sars-Cov 2, siç njihet tashmë me emërtim e ri zyrtar. Fatkeqësisht si mjek okulist më duhet t’ju informoj se studimet e fundit kanë treguar që një nga rrugët e infektimit është edhe nëpërmjet syrit dhe mukozave të tij apo konjuktivës. Duhet të kujtojmë këtu që syri gjithashtu është i lidhur me hundën nëpërmjet kanalit të lotit (ductus lacemialis), e cila është pjesë e sistemit respirator. Sistemi respirator dhe portat hyrëse të tij, pra goja dhe hunda janë rrugët kryesore të infektimit nga ky virus. Për shkak të afërsisë me fytyrën dhe frymëmarrjen e pacientit gjatë vizitave okulistike, profesionet Okulistike, Orl, Pneumolog, etj, janë ndër të parat në listë dhe më të rrezikuarat për infeksionin nga Covid-19, pas mjekëve Infeksionist dhe Reanimator, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientet e infektuar. Kujtoj këtu që mjeku i ndjerë kinez Dr. Li Wenliang, i cili dha i pari alarmin për këtë virus të ri, ishte kolegu ynë i të njëjtit profesion, pra mjek okulist.
Sipas raportimeve në Akademinë Amerikane të Oftalmologjisë (AAO është shoqata më e madhe në botë e mjekeve Oftalmoge, ku edhe ne si okulistë jemi anëtarë), të cilat përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, shenjat e para janë sy të skuqur në formën e conjuctivitit folikular, pra një reaksion tipik ndaj infeksionit viral të syrit. Pra, pjesa e bardhë e syrit paraqitet e skuqur, mundet të këtë ënjtje të palpebrave dhe sekrecione të trasha si sklepa. Gjithashtu në pacientë të moshuar është vënë re edhe skuqje apo irritim në pjesën e qepallave, pra rreth syve e ngjashme me Blefaritin (infeksion i kapakëve dhe rrënjës se qerpikëve). Përqindja e pacienteve me Covid-19, të cilët shfaqin shenja të prekjes okulare është ende e papërcaktuar qartë, por mendohet të jetë nga 1-3% të pacienteve të prekur. Por duhet pasur kujdes që të mos krijohet konfuzion sepse në çdo sezon dimri kemi të bëjmë me një numër shumë të madh pacientesh që paraqiten me Conjuktivite Adenovirale apo Gripin e Syve, siç njihet, i cili është i përhershëm dhe i lidhur me gripin stinor apo infeksionet e traktit të sipërm respirator, si edhe jemi në stinën e pranverës, ku mund të kemi të bëjmë edhe me skuqje të syrit për shkak të alergjive nga pollenet, etj. E gjitha kjo mund të krijoje ngatërresa dhe alarm të panevojshëm prandaj duhet parë me gjakftohtësi nëse pacienti nuk ka shenjat kryesore shoqëruese si temperaturë të lartë kryesisht persistente, kollë të thatë, vështirësi në frymëmarrje, humbje të ndjesisë së nuhatjes dhe shijes apo histori të vizitave në vendet e prekura si Italia, etj.
-Si mjek dhe me aq njohuri që ju keni, çfarë është Covid-19?
Covid-19 në fakt është emri zyrtar i sëmundjes që shkaktohet më saktë nga virusi, i cili zyrtarisht quhet SARS Cov-2 (Severe Acute Respiratory Syndrome Coronavirus 2). Ky është një virus i ri me një genom apo strukture genetike që është e tipit “single stranded RNA”, pra tek shirit RNA i mbuluar apo inkapsuluar nga një kapsule proteinike që ngjan në formën e kurorës nga ku merr edhe emrin koronavirus kjo familje virusesh . Ai është pjesë e familjes së madhe të koronaviruseve, të cilët janë të njohur si viruse prej shume kohësh dhe që dihet që prekin kafshët dhe njerëzit. Edhe SARS Coronavirus apo MERS Coronavirus, të cilët u bënë të njohur respektivisht në vitin 2002 dhe 2012 me infektimin dhe vdekshmërinë në të vërtetë më të lartë se sa virusi i tanishëm. Janë po pjesë e kësaj familje dhe shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin. Ajo ç’ka është e re dhe bën këtë virus të modifikuar nga ana gjenetike është se nga kafshët te njeriu, siç ishte fillimisht. Ai tashmë është përshtatur të kalojë dhe të infektojë nga njeriu te njeriu. Pikërisht ky ndryshim gjenetik apo përshtatje që bën materiali gjenetik i virusit gjatë riprodhimit brenda strukturës qelizore të njeriut dhe preferenca që ka për infektimin e sistemit respirator e bën atë të jetë shumë i rrezikshëm tashmë për njerëzit, të panjohur më parë për sa i përket trajtimit kundër tij si edhe që të përhapet shpejt nëpërmjet kontaktit me spërklat e pështymës apo aerosolit nga njëri person te tjetri.
– Sa efektive do të jenë masat e qeverisë në parandalimin e Covid-19?
Masat e qeverisë mendoj që deri tani kanë qenë deri diku efektive dhe në përputhje me mundësinë dhe situatën që ka Shqipëria si në përgjithësi ashtu edhe në aspektin e sistemit tonë shëndetësor. Por asnjë masë shtrënguese nuk do të jetë e mjaftueshme apo e efektshme nëse vetë popullsia nuk ndërgjegjësohet për rëndësinë e vetë karantinimit si edhe e minimizimit të lëvizjeve apo kontakteve sociale si e vetmja mënyrë për ngadalësimin e zinxhirit të infektimit. Në të kundërt sistemi shëndetësor rrezikon të kalojë në kolaps nëse ritmi i kontaminimit nuk ngadalësohet. Këtu duhet treguar shumë kujdes për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjekëve si personat që po luftojnë në front të parë. Nëse nuk i mbrojmë mjekët rrezikojmë të luftojmë një luftë pa luftëtar dhe si rrjedhojë të ulim shanset për fitore.
-Si mjek me përvojë, a ka vendi ynë kapacitete për të përballuar këtë emergjencë?
Fatkeqësisht vendi ynë nuk mund të krahasohet me sistemin shëndetësor të zhvilluar që ka Italia. Po e marr si shembull Italinë sepse mendoj që duhet të marrim mësime shumë të vyera nga situata e sotme atje. Megjithëse, sistemi Shëndetësor i Lombardisë është ndër më të zhvilluarit në rang global, atje sistemi ra në kolaps. Nuk kishte më vende të lira në reanimacion si edhe aparate respiratore të mjaftueshëm. Kjo solli edhe atë moment që asnjë mjek nuk do ta dëshironte të mbërrinte, seleksionimi midis pacientëve, dukë lënë pa aparat dhe drejt vdekjes së sigurt ata që ishin më të moshuar. Që kjo mos të ndodhë te ne ka shumë rëndësi që për momentin të zbatojmë distancimin dhe të rrimë në shtëpi duke minimizuar rrezikun e përhapjes më të shpejtë të virusit. Ky ishte sipas shumë ekspertëve gabimi që u bë në Lombardi, sepse masat u morën me ngadalë si edhe u lejuan grumbullime masive të njerëzve në metro, etj. Ne nuk kemi luksin si një vend i vogël dhe ekonomikisht i dobët të rrezikojmë kaq shumë me jetët e qytetarëve tanë, duke ditur mundësitë e pakta që kemi në aparatura respiratore reanimatore, numrin e kufizuar të mjekëve specialistë, financime, mjete mbrojtëse, etj. Ndërgjegjësimi dhe mirëkuptimi i të gjithëve ne do të japë mundësinë që ta përballojmë me humbje minimale dhe me sukses.
-Si duhet të veprojnë qytetarët për të shmangur infektimin me koronavirus?
Duke sqaruar edhe njëherë që ky virus përhapet nëpërmjet Aerosolit, pra spërklave të pështymës që dalin me teshtimën, frymëmarrjen apo kontaminimin nëpërmjet prekjes së objekteve përreth me duart të palara me të cilat mund të kemi prekur më parë gojën, sytë, etj. Thirrja ime për të gjithë qytetarët tanë është që të zbatojnë së pari rregullat e higjienës dhe vetëdistancimit social. Këto janë 2 shtyllat bazë për të mos u prekur nga virusi i ri SARS Cov-2. Larja sa më e shpeshtë e duarve, teshtimat në peceta një përdorimshe, dezinfektimi i objekteve që prekim shpesh, kujdesi që mos të prekim me duar pjesën e fytyrës, gojën, hundës dhe sytë të cilat janë portat hyrëse të virusit, përdorimi i maskave të pacientët me probleme shëndetësore të tjera të cilët janë më të rrezikuarit, qëndrimi larg tyre dhe personave në moshë të thyer janë thelbësore për t’i mbrojtur ata. Gjithashtu është shumë e rëndësishme që të ruajmë dhe forcojmë sistemin tonë imunitar, i cili është mbrojtësi ynë natyral kundrejt çdo patogjeni përfshi edhe viruset. Ushqehuni mirë, flini mjaftueshëm, mos qëndroni në ambient të ftohtë apo korrente ajri, përdorni sa më shumë vitaminë C me tableta apo me fruta të stinës, limona, portokalle, etj, pasi iu jep një shans më shumë për të luftuar këtë armik të padukshëm. Nëse shikoni shenjat e para të dyshimta si mungese e ndjesisë së shijes apo nuhatjes, temperaturë e lartë, kollë e thatë, e cila duket sikur vjen nga thellësia e kraharorit, vështirësi në frymëmarrje, diarre apo çrregullime të sistemit tretës, lodhje, këputje apo dhimbje muskulare, nëse keni udhëtuar apo patur kontakt me vende apo persona që vijnë nga zona ku pandemia është përhapur, të gjitha këto mund t’iu orientojnë drejt kërkesës për ndihme të kualifikuar mjekësore, kryerjes e tamponit nga autoritet si edhe një vetëkarantinim dhe distancim i menjëhershëm nga familjarët dhe persona të tjerë në mënyrë që t’i mbroni edhe ata! Në fund kam një mesazh për të gjithë popullsinë. Ju lutem mos të bien në panik apo në dëshpërim! Njerëzimi ka përballuar shumë sfida dhe beteja të vështira. Gjithashtu edhe shkenca dhe Mjekësia. Unë jam i sigurt që kjo situatë do të kalojë dhe do të kthehemi në një normalitet në jetët tona së shpejti. Duhet të kemi edhe pak durim dhe kujdes për momentin. Shpresat janë të mëdha që me rritjen e temperaturave dhe afrimin e verës ashtu siç ndodhi në verën e nxehtë të vitit 2002-2003 me virusin SARS dhe duke shpresuar në ngjashmërinë që kanë këta 2 viruse, i nxehti ta zhdukë ose të paktën ulë shumë ndjeshëm dhe ngadalësojë kurbën e infektimit, duke na dhënë të gjithëve kohë shumë të çmuar dhe mundësi që të organizohemi, marrim veten dhe pse jo gjetjen e kurës së duhur apo vaksinës të shumëpritur. Uroj që sa më shpejt të dalim nga kjo situatë e vështirë, e cila fatkeqësisht ka edhe impakt ekonomik të madh për shumë familje shqiptare dhe që të gjenden mënyrat e zbutjes dhe asistimit të shtresave në nevojë për të përballuar këtë gjendje të paparashikuar. Shëndeti është gjëja me kryesorë në jetë. Të bëjmë edhe pak durim dhe të kemi besim. Të gjithë bashkë me përgjegjësi dhe kujdes do ta fitojmë këtë luftë! Jeta do të triumfojë.
Marrë nga Sotnews.