Qeveria ka vendosur që të shtyjë zhvillimin e të gjitha seancave gjyqësore deri në fund të pandemisë së koronavirusit. Akti Normativ i qeverisë është publikuar në Fletoren Zyrtare, çka do të thotë se hyn në fuqi menjëherë.
Gjithashtu, nga data e hyrjes së fuqi të këtij akti normativ deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19 pezullohen afatet për ngritjen e padive, për paraqitjen e ankimeve, si dhe për kryerjen e çdo veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale, sipas parashikimeve në këtë akt normativ. “Kur afatet fillojnë gjatë periudhës së pezullimit, ato shtyhen deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë”, theksohet në Aktin Normativ.
Në këtë dokument saktësohet se këto rregulla nuk zbatohen në këto raste:
- a) Në çështjet administrative, me objekt gjykimin e masave të sigurimit të padisë, në rast se gjykata vlerëson se shqyrtimi pas afatit të përcaktuar në nenin 2, të këtij akti normativ, mund të shkaktojë një dëm të rëndë e të pariparueshëm për palët;
- b) Në çështjet familjare, me objekt gjykimi kujdesin, detyrimet dhe respektimin e të drejtave të të miturve, kujdestarinë dhe birësimin, masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje, ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, përkujdesjen dhe detyrimet për ushqim, si dhe në ato çështje civile në të cilat, përjashtimisht, gjykata vlerëson se shqyrtimi i vonuar i tyre mund të shkaktojë dëm të rëndë e të pariparueshëm për palët;
- c) Në çështjet penale, që lidhen me vleftësimin e arrestit në flagrancë ose ndalimit, caktimin, verifikimin e kushteve e të kritereve të caktimit dhe nevojat e sigurimit, zëvendësimin, revokimin, bashkimin ose shuarjen e masave të sigurimit të “arrestit në burg” ose të “arrestit në shtëpi”, kur të arrestuarit, të pandehurit ose mbrojtësit e tyre kërkojnë që të vijohet me shqyrtimin e tyre, si dhe në çështjet penale që lidhen me caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”;
ç) Në çështjet penale, në të cilat afatet e kohëzgjatjes maksimale të paraburgimit, sipas pikës 6, të nenit 263, të Kodit të Procedurës Penale, mbarojnë gjatë periudhës së pezullimit;
- d) Në çështjet penale të një natyre urgjente, për shkak të nevojës së sigurimit të provës, sipas nenit 316, të Kodit të Procedurës Penale. Urgjenca vlerësohet nga gjykata që shqyrton çështjen;
- dh) Në çështjet penale në ngarkim të të miturve në konflikt me ligjin, kur ndaj tyre është zbatuar masa e arrestit apo e ndalimit, sipas nenit 15, të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur;
- e) Në çdo çështje tjetër penale ku i pandehuri është i paraburgosur ose është duke vuajtur dënimin me burgim, në rast se i pandehuri ose mbrojtësi i tij kërkojnë vazhdimin e gjykimit.
Akti Normativ ka parashikuar rastet e pjesëmarrjes në distancë në seanca gjyqësore “Pjesëmarrja e personave të dënuar apo me masë sigurimi “arrest në burg”, si dhe e përfaqësuesve ligjorë të tyre, në të gjitha seancat gjyqësore gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë, sigurohet, atje ku është e mundur, nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë, duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim”, theksohet në dokument.
Mënyra e ndërlidhjes në distancë duhet të sigurojë në çdo rast shikueshmërinë e ndërsjellë të personave të pranishëm në të dyja vendet e ndërlidhura dhe mundësinë e dëgjimit nga të gjitha palët.
Nëse parashikohet pjesëmarrja e disa të pandehurve, secili prej tyre duhet të vendoset në kushte që të mund të shikojë dhe të dëgjojë të tjerët. Akti Normativ ngarkon Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor që të sigurojnë mjetet dhe programet kompjuterike të nevojshme për sigurimin e ndërlidhjes në distancë.