Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer një përgjigje për ata që e kritikojnë për panikun që po përhap lidhur me koronavirusin, referuar videove që poston dhe thirrjeve të vazhdueshme për ruajtjen e izolimit. Në lidhjen live nga facebook, Rama deklaroi se më mirë fjalët e tij sot, sesa mijëra të vdekur nesër.
“Nga ana tjetër e detit vdes një njeri çdo dy minuta e mos më thoni boll se nuk ju ndahem duke ju treguar çfarë katastrofe na gjen nesër po nuk e ndamë bashkë mendjen. Le të tërbohen fare nga fjalët e mia sot se sa mos o zot qindra e mijëra të vdekur nga ne të gjithë nesër, pas dy javësh e tre javësh.
Më mirë të qani në shtëpi se të transportohen njerëz nëpër arkivole me makina ushtrie”, deklaroi Rama. Kreu i qeverisë ilustroi situatën me koronavirusin në vendet e tjera duke paralelizëm me Shqipërinë.
“Miqtë kroatë po bëjnë gati për spital edhe stadiumin e tyre në Zagreb, imagjinoni Air Albania spital, pse? Se disa duan të shtyhen në radhë për qepe e domate sikur po humbasin anijen e fundit për në Itali, apo disa u lodhën duke luftuar me iphone në kolltuk duke ngrënë e duke pirë sikur janë me pushime. Jo e jo, s”ka shans mirëkuptimi e me këta ka vetëm forcë policore.
Spanja more po çmendet ku deri javën e kaluar këndonin e pinin birra në Bernabeu 100 mijë veta.
Franca po luan nga mëndtë e kokës se ska as maska more as respiratorë për gjithë atë dynja që pritet të kërkojë frymëmarrje artificiale nga shteti, e mua më thoni mua mos na fut panikun se do vdesim nga frika para se nga virusi”, deklaroi kryeministri.