Pasi e bëri ministër për Rindërtimin, zbulohet detyra e re që Rama i jep Arben Ahmetajt
Pasi u bë ministër për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit, duket se Rama tashmë do ti japë përgjegjësi Arben Ahmetajt edhhe për të hartuar planin për të përballuar situatën e shkaktuar nga koronavirusi.
Mësohet se disa nga detyrat e Ahmetajt janë koordinimi, drejtimi dhe ndjekja e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19.
Vendimi i Këshillit të Ministrave është botuar në faqen zyrtare dhe hyn në fuqi menjëherë.
VENDIM
Nr.228, datë 18.3.2020
PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.11,
DATË 10.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit,
Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Pas kreut II, të vendimit nr.11, datë 10.1.2020, të Këshillit të Ministrave, shtohet kreu
II/1, me këtë përmbajtje:
“II/1. Ministri i Shtetit për Rindërtimin është përgjegjës për koordinimin dhe drejtimin e punës, ndërmjet ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID19
Në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Ministrave, është përgjegjës për:
- a) koordinimin, drejtimin dhe ndjekjen e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID19
- b) evidentimin e burimeve të brendshme, financiare dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore, dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të akteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;
- c) evidentimin e burimeve financiare të jashtme dhe përcaktimin e mënyrës së përthithjes së tyre, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID19 dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të akteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;
ç) koordinimin dhe drejtimin e strukturave e të njësive, shtetërore dhe publike, të ngarkuara drejtpërdrejt për kryerjen e detyrave, për zbatimin e planit të përballimit të situatës ekonomike, të shkaktuar nga infeksioni COVID19;
- d) prezantimin e gjendjes dhe të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID 19;
- dh) përgatitjen dhe propozimin e projekteve, të përgjithshme e të veçanta, si pjesë të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID 19;
- e) detajimin e nevojave për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID 19;
ë) koordinimin dhe drejtimin e punës si dhe rekomandimin e institucioneve për përgatitjen dhe paraqitjen për miratim në Këshillin e Ministrave të projektakteve, ligjore e nënligjore, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID 19;
- f) nxitjen, bashkërendimin dhe dhënien e mendimit për projektaktet që propozohen nga ministritë, të cilat trajtojnë, ndër të tjera, edhe çështje me interes ose brenda fushës së përgjegjësisë së tij;
- g) thirrjen për raportim të strukturave të cilat kanë lidhje me situatën ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID 19;
- gj) krijimin dhe drejtimin e grupeve të punës dhe organizimin e veprimtarive për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID 19;
- h) bashkërendimin me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme dhe përcjelljen e porosive në funksion të realizimit të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID 19;
- i) informimin, vazhdimisht dhe në kohë, të Kryeministrit, kur është rasti, edhe Këshillin e Ministrave, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID 19.
Ngarkohet ministri i Shtetit për Rindërtimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.