Intervista e publikuar në gazetën DITA me ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka ngjallur një sërë reagimesh.
Kjo intervistë erdhi si një pasojë e serie botimesh të gazetës në lidhje me dosjen Babale, ku u publikuan përgjimet telefonike që provonin qartë që “Audio-përgjimi” ishte një fabrikim.
Mes këtyre reagimeve, bie në sy ai i gazetarit të njohur Alfred Lela.
A i detyrohemi një ndjesë Fatmir Xhafajt?!
Alfred Lela
Fatmir Xhafajn e njoh vetëm prej emisioneve televizive, ku kemi rastisur të ftuar, ai si ministër ose eksponent i PS, unë si gazetar. Jashtë kësaj kornize e kam takuar njëherë në pritjen e Ambasadës Amerikane, 4 korrikun e shkuar. Si shenjë kortezie, kur u përballëm, e pyeta ‘si ke qenë?’. ‘Pavarësisht luftës suaj, mirë jam”, ma ktheu aty për aty. Nëse kujtesa nuk më tradhëton, i thashë diçka të përafërt me ‘e di që nganjëherë e teprojmë’. Kisha ndërmend veten dhe të tjerë në komentariatin politik.
Mu faneps sot ky dialog me z. Xhafaj kur pashë një intervistë të gjatë në gazetën ‘Dita’. Siç më është kujtuar edhe disa herë gjatë muajve të fundit kur rezultoi, përtej dyshimeve, se ‘Babalja’ nuk kishte qenë më shumë se një trillim banal, inskenuar nga spekulantë të vegjël me ndihmën e disa eksponentëve politikë, ndër ta edhe një politikan i ri që nuk përtoi të vishte pa drojë xhaketën e kthyer mbrapsht të politikës së vjetër.
Nëse, për synime politike, duke ndjekur logjikën ‘qëllimi e justifikon mjetin’, veprimtarët partiakë shkojnë drejt manipulimeve dhe shantazheve si rasti ‘Babale’, gazetarët dhe analistët politikë duhet të jenë më të kujdesshëm. Nuk mund të kemi ‘një qen në këtë luftim’ sepse mund të ndodhë, siç edhe ngjau, që lufta të ketë qenë një simulim, pra një inskenim apo rrenë.
Në një vend normal, ky i yni nuk është i tillë, politikanët do të kishin dhënë llogaritë dhe mbajtur përgjegjësitë e veta, por dhe gazetarët më së paku do të ishin turpëruar, do të kishin humbur kredite ose kërkuar ndjesë.
Nuk ka ndodhur e para dhe as e dyta, dhe shqetësimi për këtë pandjeshmëri i prin përsëritjes së rasteve të ngjashme. Përjashtimi bëhet rregulli, shkelja bëhet norma, ndërkohë që normalja shtyhet në një cep, si të ishte karantinimi i të prekurve nga koronavirusi.
Përpjekja për ta fundosur politikisht dhe ligjërisht Fatmir Xhafajn, duke mbledhur për vete kredite politike, ka prodhuar të kundërtën. Një efekt bumerang. Kjo nuk do të thotë se politikani Xhafaj nuk e ka përjetuar të gjithë sulmin si njeriu Xhafaj. Pavarësisht gjithë kësaj, ai ka ditur të jetë korrekt dhe ky është ndoshta ‘reparacioni’ më i mirë i luftës që ai mund të merrte.
Sa më takon, kam qenë një prej atyre që, në shkelje të kodeve të gazetarisë, në shkelje të prezumimit të pafajësisë, në shkelje po deshe edhe të urdhëresave fetare, e kam interpretuar si fakt një të pavërtetë për z. Xhafaj. Mbrojtja pas lirisë së shprehjes dhe ‘opinionit’ është një membranë e dobët që nuk e shmang turpërimin.
Kur ke marrë pjesë në aktin e turpërimit publik të dikujt, sidomos mbi akuza të rrejshme, më e pakta është të kërkosh ndjesë.