Botuesi Henri Çili dhe biznesmeni i njohur Seit Fishta ishin mes personave të arrestuar nga policia në operacionin e quajtur “Mezhgorani”.
Çili u arrestua bashke me avokatin e tij Ilir Korbi dhe pasi u mbajt disa orë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe më pas është dërguar në Gjirokastër.
Abcnews.al zbardhi më herët gjatë ditës së sotme dosjen hetimore. Sipas dosjes hetimore hetimi ka zgjatur nga shtatori 2019 deri në shkurt 2020.
Në qendër të hetimit kanë qenë fillimisht kunati i Henri Çilit Gazmir Ajdinaj dhe vëllezërit Aliko. Grupi ku ishte përfshirë Ajdinaj merrej me trafik të lëndëve ekskplozive dhe drogës. Grupi ushtronte aktivitet në Gjirokastër, Këlcyrë dhe Shkodër.
Gjatë përgjimeve, është konstatuar një telefonatë mes Gazmir Ajdinajt, i cili rezulton të jetë vëllai i bashkëjetueses së Henri Çilit dhe Adil Alikos nga Lazarati, i cili rezulton të jetë babai i Arbion dhe Alban Alikos, të dënuar respektivisht me burgim të përjetshëm dhe 18 vite burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha gjatë operacionit kundër kultivimit të drogës në Lazarat.
Në dosjen hetimore të siguruar nga abcnews.al rezulton se gjatë telefonatava të përgjuara, babai i vëllezërve Aliko i ka kërkuar ndihmë Gazmir Ajndinajt për lirimin e djemve duke theksuar se i kërkonin 1 milion euro.
Gazmir Ajdinaj merr përsipër që ta ndihmojë dhe ndërmjetëson një takim të Adil Alikos me Henri Çilin.
Në dosjen hetimore që ka siguruar abcnews.al theksohet se takimi është kryer në 7 dhjetor 2019 në Tiranë.
Biseda është përgjuar dhe filmuar nga prokurorët. Gjatë kësaj bisede, mësohet se shuma e cila do të përdorej për lirimin e vëllezërve Aliko do të zbriste nga 1 milion euro në 750 mijë euro, ku një pjesë do të jepej CASH dhe pjesa tjetër me prona.
Sipas dosjes hetimore, rezulton se në 10 janar 2020, Henri Çili i ka dhënë një prokurorë për të vepruar në emrin e tij, bashkëpunëtorit Betim Shkupi për marrjen e dy pronave në formë dhurimi nga shoqëria “Fishta sh.p.k” në Velipojë.
Pas këtij dhurimi, Henri Çili komunikon me Gazmir Ajdinajn dhe i thotë se gjithçka ka shkuar për mrekulli dhe se meritonte një shpërblim.
Prokuroria ka konstatuar se më datë 3 shkurt 2020, Henri Çili ka komunikuar me Drejtoreshën e Kadastrës së Shkodrës duke i kërkuar që të veprojë me shpejtësi për regjistrimin e pronave, raporton abcnews.al.
“Kjo shtetase, pasi i premton se do të veprojë shpejt, i kërkon që të dërgojë dokumentet”, shkruhet në dosje.
Disa ditë më vonë, prokuroria konstaton se Henri Çilit i janë dorëzuar edhe 30 000 euro për të ndikuar në vendimin për Alikot. Prokuroria ka kapur edhe një rast tjetër të tentativës për të ndikuar mbi vendimin që do të jepej për Feti Yzeirajn, i dënuar me burgim të përjetshëm. Jazo Liko është përgjuar duke mbledhur 1 000 000 lekë nga familjarët e Yzeirajt me qëllim dorëzimin tek Gazmir Ajdinajt për llogari të Henri Çilit.
Shuma prej 1 000 000 lekë nuk u dorëzua pasi Lazo Liko u ndalua në momentin që do të dorëzonte paratë.
Pas marrjes së pronave dhe parave, sipas prokurorisë, Henri Çili ka zhvilluar një takim më datë 14 janar 2020 me një drejtues të lartë të Sistemit të Drejtësisë në një hotel në Tiranë.
Edhe ky takim është përgjuar.
Nga përgjimet është konstatuar se Henri Çili i kërkon zyrtarit të lartë që të zgjidhë çështjen e vëllezërve Aliko dhe Yzeirajt sa më parë dhe ai i siguron se ata (Alikot) do të jenë në 50 dosjet e para që do të shqyrtohen, shkruan abcnews.al.
Ndërkohë endet mbetet mister kush është zyrtari i lartë që është kapur në përgjime.
Disa ditë më vonë arrestohet pikërisht Gazmir Ajdinaj teksa policia i kapi dy kallëpe tritol në makinë.
Arestimi erdhi pasi prokuroria ka përgjuar një telefonatë mes Arbion Alikos nga burgu i Burrelit dhe Gazmir Ajdinajt për një sasi tritoli.
Në 23 shkurt 2020, Ajdinaj shkon në Gjirokastër dhe mori disa sende nga Adil dhe Amarildo Aliko. Policia ndaloi makinën e tij në Tepelenë duke i gjetur aty dy kallëpe tritol si edhe fitil zjarrpërcjellës. Operacioni i djeshëm është faza e dytë arrestimeve të bëra ndaj grupit ku bënte pjesë edhe Ajdinaj.
Pjesë bruto nga dosja ku implikohet Henri Çili
“Nga përmbajtja e komunikimeve të shtetasit Gazmir Ajdinaj me shtetasin e identifikuar si Adil Aliko, i cili ka në përdorim numrin e telefonit celular…, babai i shtetasit Arbion Aliko, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe Alban Aliko, i dënuar me 18 vjet burgim, rezulton se e lënë për t’u takuar më datë 07.12.2019.
Pas kësaj bisede, Adil Aliko komunikon me shtetasin Seit Fishta, bashkëpunëtor i tij, të cilit i thotë se i kanë kërkuar shumë lekë, afërsisht 1 milionë euro për ta ndihmuar për të dy djemtë, por ai ka dhënë vetëm 250 mijë euro. Ky fakt rezulton edhe nga bisedat e zhvilluara ndërmjet Gazmir Ajdinajt dhe të motrës, së cilës i pohon se pasi janë takuar Henri Çili dhe Adil Aliko, me ndërmjetësimin e tij, takim i cili është filmuar, ranë dakord për shumën e 750 mijë eurove, ku një pjesë cash dhe pjesa tjetër pasuri të paluajtshme në Shëngjin. Në vijim të bisedës, bashkëshortja e Henrit Çilit i thotë se janë shumë lekë, ndërsa Gazmir Ajdinaj i përgjigjet se nuk janë shumë lekë, pasi ai do bëjë lobim, shkrime, ndërhyrje në organet e drejtësisë dhe ai është dënuar për vepër penale të rëndë.
Në ditët në vazhdim, më datë 10.01.2020, Henri Çili i jep prokurorë të posaçme punonjësit Betim Shkupi për të vepruar në emër të tij dhe për llogari të tij për marrjen e dy pronave, si dhurim nga shoqëria Fishta SHPK, të ndodhura në Velipojë. Pas kryerjes së veprimit, shtetasi Henri Çili komunikon me Gazmir Ajdinaj dhe i thotë se ka qenë me sukses, duke i premtuar një shpërblim.
Më datë 03.02.2020, shtetasi Henri Çili komunikon me drejtoreshën e Kadastrës së Shkodrës dhe i kërkon të përshpejtojë regjistrimin e pasurive, ndërsa kjo shtetase pasi i premton se do ta bëjë, i kërkon dërgimin e dokumenteve”.
/abcnews.al