Ditën e djeshme një vajzë e moshës 20 vjeç është proceduar penalisht për “Mosdeklarim të vlerave monetare në kufi”.
Gjatë kontrollit në aeroportin e Rinasit asaj i janë gjetur me vete një shumë parash mbi 12 mijë euro.
Burime nga Policia Kufitare bëjnë me dije se gjatë marrjes në pyetje, ajo është shprehur se nuk ishte në dijeni sa ishte shuma që lejohej pa e deklaruar.
Gjithashtu ajo ka shtuar se po udhëtonte jashtë për të bërë shopping dhe kjo ishte arsyeja pse mbante një shumë të tillë parash.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Policia Kufitare e Rinasit parandalon një tjetër rast të transfertës së parave jashtë shtetit, në mënyrë të kundërligjshme. Sekuestrohen 12450 euro, procedohet penalisht një 20-vjeçare.
Mësohet se shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit në dalje, si rezultat i masave shtesë qoftë në intervistimin për arsyen e udhëtimit apo edhe për kontrollin fizik dhe të bagazheve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, gjatë kontrolleve të ushtruara kanë përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë 20-vjeçaren I. K., banuese në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shtetases së lartpërmendur iu gjetën në çantë 12450 euro, të padeklaruara në doganë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Policisë Kufitare në Rinas, materialet në ngarkim të kësaj shtetaseje i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarim i vlerave monetare në kufi.