Pas aksidentit që ndodhi në aksin Krahës-Tepelenë, ku makina e Drejtorisë së Burgjeve me të dënuar brenda u përplas me një mjet tjetër, policia e Gjirokastrës njofton se është arrestuar shtetasi Hysen Hasa.
Mësohet se Hasa ishte shoferi i makinës së Drejtorisë së Burgjeve, brenda të cilit ndodheshin dy policë dhe dy të paraburgosur.
Kujtojmë se si pasojë e përplasjes u plagosën 5 persona, konkretisht: dy shoferët, dy të paraburgosurit dhe punonjësi i policisë.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
“U arrestua në flagrancë shtetasi Hysen Hasa, banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për shtetasin Sulejman Shehu, banues ne Anëvjosë, Memaliaj.
Kjo pasi rreth orës 08:10, në aksin rrugor Krahës–Tepelenë, në vendin e quajtur Qesarat, shtetasi Hysen Hasa duke drejtuar mjetin tip “Hyundai”, me targa AA306UN, në pronësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me të cilën punonjësit e policisë së burgjeve kryenin transportimin e dy të paraburgosurve nga Tirana për në Sarandë, është përplasur me mjetin tip “Benz”, me targa AA512LM që drejtohej nga shtetasi Sulejman Shehu, ku gjatë përplasjes ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga dhe ka dëmtuar kioskën e shtetasit Nebi Zeqaj, banues në Qesarat.
Nga përplasja e mjeteve janë dëmtuar shtetasit Julian Rexhep Verbofshi, banues në Tiranë, punonjës policie i Dr.Burgjeve, Fatmir Çaushi, i paraburgosur, Razit Halili, i paraburgosur, si dhe dy drejtuesit e mjeteve Hysen Hasa dhe Sulejman Shehu, të gjithë jashtë rreziku për jetën.
Shtetasi Julian Verbofshi u transportua për në Spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar, dy të paraburgosurit pasi morën mjekim në Spitalin Rajonal në Gjirokastër dolën të shoqëruar nga punonjësit e burgjeve, ndërsa shtetasit Hysen Hasa dhe Sulejman Shehu ndodhen të shtruar në Spitalin Rajonal “Omer Nishani”, në Gjirokastër”.