Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në Konferencën e Donatorëve që po mbahet në Bruksel në lidhje me mbledhjen e fondeve për të dëmtuarit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë.
Gjatë kohës që fliste, Rama pati guximin edhe t’iu lutet shteteve disa herë për ndihmë.
“Na duhen rreth 1 miliard euro për të ndrequr dëmet, edhe pse nuk janë lekë xhepi”, u shpreh kryeministri, teksa bëri dhe një llogari.
“Ne kemi një PBB 13.5 miliard, me një pagë mesatare 420 euro, për ne është një shumë e jashtëzakonshme, na mungojnë paratë dhe më shumë se kaq, na mungon koha, ju lutem nga ndihmoni, ju lutemi përgjigjuni vuajtjes tonë me bujari.
Ne do bëjmë gjithcka mundemi e përtej. Na ndihmoni ju lutemi! Tërmet apo jo tërmet, ju lutemi të kuptoni sa i rëndësishëm është për ne samiti i Zagrebit dhe cfarë ne shpresojmë të sjellë dritën e gjelbër për rrugëtimin tonë drejt Europës.
Ajo që ndodhi në nëntor na erdhi nga natyra, nga zoti… ne jemi të pafuqishëm përballë saj”, u shpreh Rama ndërsa citoi edhe një pasazh në frëngjisht nga libri i mrekullueshëm siç e cilësoi ai “Shqipëria në vitin 1921”.
“Ne mund të jemi të varfër por kemi zemër të pasur, Shqipëria e shqiptarit i përket zotit e mikut, të gjithë ju jeni të mirëpritur të jeni miqtë tanë”, përmbylli fjalimin kryeministri.