Rikthehet edhe njëherë në vëmendjen e opinionit publik dosja e bujshme në të cilën gjenden emrat e personave me më influencë në botën e krimit.
Por kësaj here bëhet fjalë për mbrojtjen e gjyqtarit që firmosi urdhër-arrestet e prokurorisë. Gjyqtari, Bib Ndreca ka qenë në mbrojtje të posaçme,e për shkak të rrezikshmërisë së emrave të kësaj dosjeje, por me sa kuptohet në fundjavën që lamë pas atij iu ka komunikuar heqja e kësaj sigurie.
Madje sipas të dhënave në arsyetimin e dhënë për gjyqtarin është mësuar fakti se tashmë personat e rrezikshëm janë në qeli ndërsa pjesa tjetër nuk përbëjnë asnjë lloj rreziku për të. Bib Ndreca ishte në mbrojtje të posaçme që pas firmosjes së urdhër arresteve për grupin Avdylaj! Ndërkohë që zyrtarisht nuk bëhen të ditura arsyet e heqjes së mbrojtjes fizike, mësohet se gjyqtari do të bëjë kërkesë për ta rikthyer sërish këtë masë.
Në dosjen 339 është përgjuar edhe ish-kryabashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, emri i të cilit doli pak ditë më parë në emisionin opinion me kryeministrin Edi Rama i cili e pranoi publikisht që Dakon e kishte mik. Madje ai tha se edhe nëse do të shkojë në burg, ai sërish do jetë miku i tij, duke e marrë në mbrojtje në një farë mënyrë kryebashkiakun “de juro” të Durrësit.
Por pavarësisht se Ndrecës iu hoq mbrojtja mësohet se në mbrojtje vijojnë të jenë dy prokurorët e çështjes, të cilët nxorën edhe përgjimet që u u bënë mbi këtë dosje.