Në kuadër të operacionit të koduar “Trajektorja” , Policia e Shtetit ka vënë në pranga një vajzë 20-vjecare me iniciale A.B, banuese në Tiranë.
Dyshohet se ajo ka ndihmuar grabitësin Astrit Thaci për ti shpëtuar forcave të policisë.
Kujtojmë se Thaçi u prangos mbrëmjen e djeshme (kliko këtu) në zonën e ish-Kombinatit në kryeqytet pasi në mesditë grabiti një argjendari në qytetin e Elbasanit.
Ai rezultoi autor i 8 grabitjeve në Durrës, Elbasan dhe Tiranë.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Vijon operacioni “Trajektorja”.
Policia e Durrësit vë në pranga bashkëpunëtoren e autorit A. Th.
Arrestohet 20-vjeçarja që ndihmonte autorin e vjedhjeve me armë e dhunë, për t’i shpëtuar forcave të Policisë.
Në vijim të operacionit “Trajektorja”, zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga DVP Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të një sërë vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje me dhunë e armë, operacioni ka vijuar edhe paraditen e sotme.
Mbi bazën e provave të siguruara nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë nga veprimet proaktive të kryera, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasen A. B., 20 vjeçe, banuese në Tiranë.
Kjo shtetase dyshohet se e ka përkrahur shtetasin A. Th., duke i dhënë ndihmë për të mos u kapur nga forcat e Policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.