Dy vite e 4 muaj burgim me gjykim të shkurtuar është dënuar së fundmi nga Gjykata e Korçës një 29-vjeçar, djali i një biznesmeni, për veprat penale të ngacmimit seksual dhe vjedhjes.
Gjykata vendosi në përputhje me kërkesën e prokurorisë. Mbrojtja kërkoi pafajësi për akuzën e vjedhjes ndërsa pranoi fajësinë për akuzën tjetër, atë të ngacmimit seksual.
“Duke qene se nga momenti i arrestimit deri ditën e sotme ka qëndruar 8 muaj si i paraburgosur, në aplikim të nenit 57 të Kodit Penal rezulton që të ketë vuajtur 1 vit burgim, mendoj se kjo kohe e qëndrimit të tij të jetë e mjaftueshme për rehabilitimin e tij”, tha në seancë avokati mbrojtës i 29-vjçarit të pandehur, me iniciale G.V.
“Duke qenë se në automjet i ka hipur një femër, të cilën ky as njihte, kanë bërë muhabet dhe ka filluar ta komplimentojë, me pas ai e ka prekur, gjithkush do kryente të njëjtat veprime, por duke qenë se këto veprime janë të dënueshme dhe se shtetesja X.X. i ka thënë që te mos vazhdojë, i kërkojmë gjykatës të të deklarohet fajtor. Kurse për sa i përket veprës penale të vjedhjes, akuze e cila është ngritur nga ana e prokurorisë ajo nuk rezulton të provohet dhe i kërkoj gjykatës që ta deklarojë të pafajshëm, pasi i mbrojturi prej meje nuk ka patur asnjë qëllim dhe as arsye për ta vjedhur, pasi ai rezulton që të ketë një anije peshkimi në qytetin e Durrësit, familja e tij ka një biznes që merret me biznesin e gomave dhe familja e këtij shtetasi është grabitur tre muaj me pas, ai e ka dorëzuar celularin. Pranë ambienteve të policisë ka shkuar pasi e kanë thirrur dhe ka dhënë deklarime, ç’ka tregon një sjellje korrekte të tij në raport me ligjin dhe institucionet, rezulton që të ketë treguar versionin e tij në lidhje me veprimet e tij si edhe gjatë qëndrimit me masë sigurimi personal arrest ne burg të mos ketë patur probleme as me të burgosurit, por as me administratën”, tha avokati.
I pandehuri kërkoi mëshirë për akuzën e ngacmimit seksual, ndërsa tha se nuk e dinte se përbënte vepër penale. Ndërsa për akuzën e vjedhjes e deklaroi veten të pafajshëm: “Për sa i përket ngacmimit seksual, nuk e dija që përbente vepër penale, gjykata të vejë dorën në zemër. Sa për vjedhjen, nuk kam nevojë për të vjedhur. Unë kur u ktheva në shtëpi e pashë që ishte telefoni në makinë”.
Në fund, gjykata vendosi në favor të akuzës për të riun e vënë në pranga që në Shkurt të vitit të kaluar dhe të gjykuar nën masën e sigurisë së arrestit me burg.
Nga verifikimi në Apel, rezulton se vendimi është animuar, por ende nuk ka një vendim nga gjykata e shkallës së dytë.
Ngjarja
Në vendimin e gjykatës së Faktit, zbardhet dhe ngjarja:
Shtetasja X.X., banore e qytetit të Maliqit, është e punësuar në një biznes, ndodhur në lagjen nr.4 të qytetit të Korçës. Në datë 9 Shkurt 2019, rreth orës 06:00, ajo ka dalë nga banesa dhe është drejtuar për tek stacioni i autobuzave në qytetin e Maliqit, me qëllim vajtjen në punë. Tek vendi i quajtur “Ura e Qesaratit”, asaj i ka ndaluar një mjet afër këmbëve, të cilin e drejtonte një djalë i moshës së re që ajo nuk e njihte deri në ato momente. Ky shtetas, që më pas rezultoi se ishte 29-vjeçari G.V. e ka pyetur se ku do shkonte. Ajo i është përgjigjur se do shkonte tek stacioni i autobuzave. 29-vjeçari e ka ftuar të hipte në mjetin e tij se do e çonte ai tek stacioni. Pasi kanë mbërritur tek stacioni, nisur nga fakti që edhe G.V. ishte duke shkuar për në Korçë, shtetasja X.X. ka pranuar që të udhëtonte me mjetin e G.V. për në Korçë.
Këtij të fundit i ka thënë se donte të shkonte në lagjen nr.4 të qytetit, pasi atje kishte punën. Gjatë rrugës, rezulton e provuar se 29-vjeçari i është drejtuar me fjalët “Lum ai që do të ketë, je shumë e bukur, je shumë e mirë”. Duke parë që G.V. ishte duke e ngacmuar, vajza nuk i ka dhënë shumë muhabet. Pasi kanë mbërritur në afërsi të vendit të quajtur “Birra” në qytetin e Korçës, vajza i ka kërkuar 29-vjeçarit që të mbante mjetin pasi ajo do zbriste, por ai nuk ka qëndruar dhe ka vazhduar të drejtonte mjetin tek rruga ku kthehesh tek lokal “Calma”, në krahun e kundërt me punën kallëzueses.
Gjatë kësaj kohe, ai i ka shprehur simpatinë e tij dhe gjithashtu ka filluar ta prekte nga këmbët. Në një moment, kur mjeti kishte shpejtësi relativisht të ulët, vajza ka hapur derën e mjetit dhe është hedhur nga mjeti në lëvizje. Nga ekspertiza, rezultoi që vajza pësoi dëmtime nga rënia, që shkaktojnë paaftësi për punë në masën deri në 9 ditë.
Kur është hedhur nga mjeti, ajo ka patur celularin në njërën dorë dhe çantën në dorën tjetër. Sapo ka rënë në rrugë, ajo ka filluar të thërrasë dhe G.V. ka dalë nga mjeti dhe ka shkuar dhe e ka zënë nga faqet për ta qetësuar. Ai gjithashtu i ka marrë dhe telefonin, një “Samsung J7”, me ngjyrë “Gold” dhe ka hipur në makinë. Edhe pse vajza i ka kërkuar t’i kthente telefonin, G.H. nuk ka pranuar dhe është larguar me mjetin e tij.
Pas largimit, tek vajza është afruar një grua e cila ka qenë duke bërë ecje në afërsi të vendit ku vajza u hodh nga mjeti. Gruaja e ka pyetur vajzën se çfarë i kishte ndodhur dhe nëse kishte nevojë për ndihmë. Viktima nga vepra penale i është përgjigjur se ishte hedhur nga mjeti dhe se personi me të cilin ajo ishte, i kishte marrë telefonin. Pasi është ngritur, ku nga hedhja prej makinës u dëmtua në kokë, vajza shkuar punë ku ka punuar deri në orën 12:30, orë në të cilën ka folur me eproren, të cilës i ka kërkuar lejë për t’u larguar nga puna. Pas largimit nga puna, ajo ka shkuar tek stacioni i autobuzave të Maliqit, nga ku ka shkuar më pas tek ambulanca e këtij qyteti. Atje i kanë mjekuar plagën, për të cilën vajza ka deklaruar se ishte dëmtuar kur kishte rënë.
Gjatë asaj nate, kallëzuesja ka qenë me shqetësime të shëndetit dhe në mëngjes, duke parë që nuk po i kthehej telefoni, ka shkuar në Komisariatin e Policisë Maliq, ku ka treguar sa më lart. Ajo ka deklaruar shprehet se nuk dëshironte ndjekje penale pasi nuk donte që të merrej vesh si histori, por donte kthimin e telefonit.
Dëshmia e të riut
Pas kallëzimit të vajzës, është identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, G.V. Fillimisht, ai ka mohuar akuzat për ngacmim seksual, që më vonë i pranoi gjatë gjykimit.
Në dëshminë në polici, i pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetimet, ky shtetas ka pranuar faktin se ka marrë në mjetin e tij shtetasen X.X.. Edhe pse personi nën hetim mori dijeni se kudo shkonte bashkudhëtarja e tij, ai deklaron se humbi sensin e orientimit dhe gabimisht shkoi nga vendi që i thonë “Çezma e Amëzës”. Kur ajo i ka kërkuar të qëndronte, ende pa qëndruar ai mjetin, ajo ka hapur derën dhe është larguar. Në këto kushte ai ka vazhduar rrugën dhe më pas ka parë në sedijen e mjetit telefonin celular të vajzës. Telefoni ishte me kod dhe ai nuk ka mundur ta hapë dot. Më pas ka vënë kartën e tij të telefonit, por aparati celular është bllokuar.
Në datë 10.02.2019, atë e kanë marrë në telefon punonjës së policisë së shtetit dhe ai është paraqitur me telefonin e vajzës në Komisariatin e Policisë. Personi nën hetim nuk pranon që të ketë ngacmuar seksualisht shtetasen {xxx} dhe aq më pak të ketë vjedhur telefonin e saj. Ai është pyetur në lidhje me faktin se pse telefoni i vajzës ishte në gjendje të reset-uar. Personi nën hetim ka shpjeguar se nuk e dinte se si kishte ndodhur kjo gjë.
Pas dëshmisë, efektivë e policisë e arrestuan për veprat penale të vjedhjes dhe ngacmimit seksual. Boldnews