Çmimet e apartamenteve kanë shënuar një tjetër rritje gjatë muajve të fundit, pas një periudhe stanjacioni. Sipas operatorëve të tregut, shtrenjtimi ka ndodhur në të gjitha zonat dhe është i dukshëm në pallatet e reja që sapo kanë nisur të ndërtohen. Mesatarisht, nëse do të blesh sot një hyrje, duhet të paguash 100-150 euro më shumë për metër katror, sesa pak kohë më parë, madje në disa zona rritja është dhe më e fortë nw 300-600 euro më shumë.
Dy janë arsyet e kësaj tendence, sipas operatorëve, së pari rritja e taksave dhe së dyti qarkullimi i parave informale dhe pastrimi i tyre përmes ndërtimit.
Ylli Sula, sipërmarrës, botues i Gazetës Çelësi i cili ka krijuar përmes të dhënave historike të gazetës një indeks për çmimet e pasurive të paluajtshme, “Key Data Albania”, tha për “Monitor Ekonomi” se në zonën e unazës së vogël ka një rritje deri në 3.5% të çmimeve, më e ulëta krahasuar me zonat e tjera, ku çmimet luhaten deri 1150 euro. “Zona e bllokut ka dyfshin e rritjes, flasim 8.8% në indeks dhe në vlera çmimet shkojnë mesatarisht deri në 1450 për metër. Ajo që ka pësuar rritjen më të ndjeshme është zona jashtë unazës, ku flasim për një kapërcim deri në 17% në harkun kohor të një viti. Nga një mesatare prej 850 euro për metër sot flasim për çmime deri në 1050 euro”, pohon ai.
Sula thotë se në këtë tendencë më shumë luajnë rol elementet jashtë tregut sesa ato të brendshëm. “Në shumë raste gjenden hapësira përdoren për pastrim parash, si në investim edhe në blerje. Në qoftë se ne kemi këto çmime në rritje dhe vijim të shitjes do të thotë që fuqia blerëse ekziston, nëse kjo fuqi është e përqendruar në disa duar, janë po prapë elementë jashtë tregut”.
Pastrimi i parave
Në shumë raste gjenden hapësira përdoren për pastrim parash, si në investim edhe në blerje. Në qoftë se ne kemi këto çmime në rritje dhe vijim të shitjes do të thotë që fuqia blerëse ekziston, nëse kjo fuqi është e përqendruar në disa duar, janë po prapë elementë jashtë tregut
Edhe Juliana Nela, broker në agjencinë “Remax” konfirmon rritjen e çmimeve, që sipas saj është shumë e fortë dhe nuk justifikohet vetëm me shtimin e taksave. “Në rast se taksat janë shtuar me 60 apo 70 euro për metër, dhe cilësia mund të ketë çuar në rritje kostoje me 20 apo 30 euro, shtrenjtimi i çmimeve është herë tre apo herë katër në raport me kostot. Pra 300 deri në 600 euro për metër rritje. Në zona që ne si agjenci dikur nuk kemi guxuar të merrnin të shisnim prona për më shumë se 900 euro metri, objektet e reja kanë dalë me 1600 euro, dhe me aq sa kemi informacion të gjitha po shiten. Është zona e Astirit në të cilën ne kemi tentuar të mos kapërcenim 500 euro, tashmë na vjen me 670 euro për metër katror”, pohon ajo.
Edhe Nela është e mendimit që në këtë rritje të fortë po ndikojnë aktivitetet informale. “Vazhdimi i parave të çuditshme, patjetër që ka ndikimin më të madh në këtë përmbysje dhe çudi të tregut imobiliar. Paga të ulëta, emigracion masiv, metra katror ndërtimi pafund të hedhura në treg dhe çmimet rriten. Është e palogjikshme”, pohon ajo.
Tendenca
“Paga të ulëta, emigracion masiv, metra katror ndërtimi pafund të hedhura në treg dhe çmimet rriten. Është e palogjikshme”
Sipas ndërtuesve, ndryshimi i taksave nga ana e bashkisë dhe përmirësimi i cilësisë së punimeve, të kërkuara si standard, është një tjetër faktor që ka ndikuar në shtrenjtimin e çmimeve.
“Ne jemi vendi me taksat më të larta në Ballkan. Tatimi mbi fitimin është 10% në Kosovë, në Maqedoni po kështu, në Mal të zi po kështu. Ndërsa tek ne çdo ditë rriten taksat, tashmë 3% e vlerës së banesave që i duhet dhënë bashkisë. Këto janë kosto që shkojnë në xhepin e atij që do të blejë”, thotë Hajredin Fratari, ndërtues.
Taksat që bashkia i ka vendosur për ndërtuesit do ti kalojnë si barrë blerësit të apartamentit, e megjithatë në bazë të të dhënave, kjo rritje e çmimeve në brenda pak muaj, është më e lartë, se ajo që do të duhej të reflektohej si pasojë e taksave të shtuara.
“Çdo lloj rritje që u ka ndodhur ndërtuesve, absolutisht është reflektuar në çmim tek konsumatori. Nëse ne krahasojmë vlerën e çmimeve të pronave në 4 vitet e fundit, rritja është absolutisht më e lartë nga vetë tregu imobiliar, sesa ajo e ndikuar nga rritja e taksave”, thotë Sula.
Edhe pse ka rritje çmimesh, shitjet kanë vijuar normalisht, duke mos e njohur stanjacionin. Sipas agjentëve imobiliarë kjo kërkesë e lartë, për të blerë me çmime të kripura, ndikohet edhe nga disa faktorëve të tjerë, kryesisht nga para informale që hyn në vend. Sipas Raportit Europian të drogave për vitin 2019, Në Shqipëri cash-i i përfituar nga kontrabandimi i drogave futet në Shqipëri me makina dhe investohet në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm.
Pas arritjes së pikut të çmimeve a pritet të ketë stanjacion për tregun imobiliar?
Për momentin Tirana është e mbingopur me ndërtime, ndonëse nuk është shfrytëzuar maksimalisht. Por, për shkak të taksave dhe të parave informale që po investohen në ndërtim, për të gjithë ata që kanë një punë me të ardhura të rregullta, blerja e një apartamenti tashmë është pothuajse një mision i pamundur. Por, a mund të presim ulje, teksa Shqipëria ka hyrë sërish në një cikël emigraconi çka mund të reduktojë kërkesën për banesa?
“Nëse ky largim jashtë Shqipërisë do të vazhdojë, edhe pjesa e atyre që do të vijnë në Tiranë do ketë një tendencë që do të mbingopet, ky është momenti për të parë sesa stoku i ndërtimeve në pritje të këtij fluksi të ardhurish në Tiranë do ketë mbetur pa u ezauruar nga kërkesa e tregut. Ulje nuk ndodh, mund të ketë stopojë rritje, por ulje nuk mund të ketë”, thotë Sula.
Revista Monitor