Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilluan një takim mes tyre në selinë blu në Tiranë.
Menjëherë pas takimit në kuadër të vizitës së parë të Kurtit si kryeministër i Kosovës në Shqipëri, të dy liderët deklaruan për mediat se do të jenë në shërbim të qytetarëve.
Gjatë prononcimit të tij Kurti u shpreh se qytetarët janë më të varfrit dhe të papunë jo vetëm në rajon dhe është obligim për të ngritur dinjitetin dhe mirëqenien e tyre.
“Unë pata takim të përzemërt e konstruktiv me Kryetarin e PD, me liderin e opozitës zotin Lulzim Basha. Pozitë opozitë në të dy anët e kufirit, Kuvend dhe qeveri do të bashkëpunojmë në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë në nivel të detyrës, jo vetëm zyrtare por edhe historike për qytetarët tanë, të cilët siç e dinë janë edhe varfërinë më të madhe, edhe me papunësinë më të madhe jo vetëm në rajonin tonë. Pra, është obligim i yni si politikanë kudo që jemi, tërë kohën të jemi në shërbim të qytetarëve edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë, për të ngritur dinjitetin dhe mirëqenien e tyre.” – u shpreh Kurti.
Nga ana tjetër Basha tha se Partia Demokratike do të bëjë gjithcka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Dua ta falënderoj kryeministrin e Kosovës për vizitën në selinë e Partisë Demokratike. E sigurova se për Partinë Demokratike dhe për opozitën e bashkuar prioritetet e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës janë të qarta.
Dhe ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë e, në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, sikundër edhe për angazhimin tonë, sot dhe nesër, për të vazhduar fuqimisht mbështetjen nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës, për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, sikundër edhe për heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës.
Kryeministri Kurti, qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës mund të mbështeten, siç janë mbështetur deri më sot, plotësisht tek Partia Demokratike, tek opozita e bashkuar për t’i dhënë çdo ndihmë dhe për të marrë çdo vendim që do të mbështesë objektivat e tyre, sot në opozitë dhe nesër, kur qytetarët e Republikës së Shqipërisë të na besojnë qeverisjen e vendit me votën e lirë dhe të ndershme.” , theksoi Basha gjatë fjalës së tij.