Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme është një proces që ka ngjallur mjaft interes te qytetarët.
Ditët e fundit u tha se të gjithë ata persona që prisnin të rivlerësonin shtëpitë e tyre, mund ta bënin duke filluar që sot.
Ky proces mund të bëhej pranë zyrës së Kadastrës ose përmes shërbimit online.
Madje ditën e djeshme edhe kreu i Kadastrës Artan Lame doli në një deklaratë për media ku njoftoi se muaji shkurt dhe mars do të jenë për procese emergjente, nëse qytetarët duan të shesin pronën apo t’ja kalojnë atë dikujt tjetër.
“Gjej rastin që qytetarët ti drejtohen kësaj mënyre shërbimi, aplikimit online. E gjithë proçedura e verifikimit nga punonjësit zgjat jo më shumë se 5 ditë.
Do aplikohet përmes aplikimeve online dhe për pasuritë e legalizuara që janë në proces legalizimi në kadastër. Nëse ky proces, i rivlerësimit, nëse herët e tjera është kryer vetëm për pasuritë e certifikuara kësaj rradhe edhe objektet që janë në proces legalizimi të përfshihen në këtë proces. Kjo risi e dytë është rezultat i reformës institucionale.” , deklaroi Lame.
Mirëpo çfarë ka ndodhur realisht sot?
Ajo që është vënë re konkretisht nga qytetarët ditën e sotme është fakti se sistemi është bllokuar dhe nuk kanë mundur të realizojnë këtë proces.
Pamundësia për të kryer këtë shërbim natyrisht është në dëm të biznesit dhe qytetarëve.
Ende nuk ka një reagim nga autoritetet përkatëse në lidhje me atë që ka ndodhur, ose të jepet një informacion se kur mund të rregullohet përsëri ky sistem, pasi mund të themi që rradha e qytetarëve të interesuar nuk është e vogël.
Udhëzimi parashikon se të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri në datën 30 shtator 2020, kanë të drejtë që brenda këtij afati të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Këtu përfshihen dhe rastet, kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi.
Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse. Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (3% e bazës së tatueshme) dhe tarifën e shërbimit, sipas ligjit nr. 90/2019.
Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.
Tatimi i parashikuar është:
Për Individët
3% e diferencës midis vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet e referencës, me cmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjisitruar (kur rivlerësimi bëhet nga ASHK) dhe;
3% e diferencës ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertimi dhe vlerës së pasurise se aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar (kur rivlerësimi bëhet nga një ekspert privat i licensuar).
Për Personat juridik
5% e diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme.
Aktet nënligjore të dala në zbatim të këtij ligji:
-Vendim i Këshillit të Ministrave për rivlerësimin e pasurive te paluajtshme në proces regjistrimi.
-Udhëzim i Perbashket i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ASHK-së.
Nisur nga eksperienca në vite e aplikimit të ketij procesi nëpërmjet tij synohet që qytetaret të përfitojnë nga rivlerësimi i pasurive me vlerën e tregut dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit të rriten si rezultat i aplikimit të këtij procesi. Në momentin e transaksionit per tjetërsim pasurie, që kryhet pas rivlerësimit kosto për qytetaret në momentin e pagimit të tatimit për kalimin e të drejtes së pronësisë (15%) zvogelohet si pasojë e rivlerësimit.
Gjithashtu, nëpërmjet aplikimit te këtij procesi rriten transaksionet per pasuritë e paluajtshme ne qarkullimin civil, që ndikon drejtepersedrejti ne nxitjen e tregut të pasurive të paluajtshme.