Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar sot me presidentin e Parlamentit Europian David Sassoli, i cili ndodhet për një vizitë disa ditore në vendin tonë.
Ndërkohë lideri demokrat ka zbuluar edhe detaje nga takimi dhe shprehet se pavarësisht krizës që po kalon Shqipëria, e ardhmja e saj është familja e madhe europiane.
Basha është shprehur se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar po bën gjithcka që hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian të bëhet realitet sa më parë.
POSTIMI I PLOTE I KRYETARIT TE PD LULZIM BASHA
I lumtur të takoja mikun e Shqipërisë, Presidentin e Parlamentit Europian z. David Sassoli dhe të merrja prej tij konfirmimin se, personalisht dhe institucionalisht, do të jetë një mbështetje e fuqishme dhe e vazhdueshme për rrugën europiane të Shqipërisë dhe përparimin demokratik të vendit tonë.
I konfirmova se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar po bën gjithçka që aspirata e qytetarëve shqiptarë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian të bëhet realitet sa më parë.
Bashkimi Europian dhe respektimi i vlerave europiane është e ardhmja e vetme e Shqipërisë, pavarësisht krizës që vendi po kalon!
Mirënjohje Presidentit Sassoli dhe Parlamentit Europian për mesazhin shpresëdhënës se populli shqiptar ka patur dhe do të ketë gjithmonë mbështetjen e Europës.