Ndërsa na ndajnë më pak se 24 orë nga protesta e opozitës së bashkuar para Parlamentit, kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi dha një deklaratë për shtyp nga kryesia e Kuvendit.
Opozita ka njoftuar protestën e radhës ditën e nesërme në 10:00 para Parlamentit, kryeparlamentari, Gramoz Ruci, njoftoi në një konferencë për mediat, anulimin e seancës plenare. Sipas tij, ky vendim është marrë për t’i krijuar opozitës hapësirat reflektuese që të rikthehet në Kuvend, por edhe në bazë të informacioneve për trazira të mundshme brenda dhe jashtë Kuvendit.
“Ndoqa nga afër, nga fillimi deri në fund për pesë orë rresht protestën e 16 shkurtit. Po ndjek me shumë shqetësim veprimet e partive opozitare për djegien e mandateve parlamentare. Po ndjek me vëmendje, vendimin dhe përgatitjen e opozitës për protestën e 21 shkurtit pranë sallës së Kuvendit, në të njëjtin datë dhe orë me seancën parlamentare. Pamjet e trishtueshme në godinën e qeverisë të gjithë e pamë se bënë xhiron e botës. Kush nuk na do të mirën si vend, fërkoi duart. Kush na ka mbështetur e mbështet e ndihmuar pa dyshim është ndjerë keq. Ndërsa kush ka bërë plane për pushim, padyshim që është stepur. Këto pamje nuk janë inkurajuese as për investitorët e as për konsumatorët.
Duke pasur parasysh historinë e afërme jo gjithçka që ndodhi ishte për ta hedhur poshtë. Janë për t’u përshëndetur ata qytetarë që demonstruan në mënyrë paqësore pakënaqësinë e tyre, por edhe ata djem e vajza në uniformë në polici e gardë. Qëllimi për nxitjen e dhunës nuk u përmbush, institucionet u mbrojtën me profesionalizëm dhe asnjë protestues nuk u dëmtua fizikisht. E kam falënderuar ministrin e Brendshëm, lidershipi i tij i urtë e i vendosur ka bërë diferencën e madhe të protestës së javës së shkuar dhe asaj të disa viteve më parë që u kthyen në tragjedi. Por mos të harrojmë se pamjet e dhunës kanë një pasojë të dëmshme për proceset integruese. Si kr u Kuvendit dhe si deputet jam jashtëzakonisht i shqetësuar për këtë situatë.
Nuk do të doja kurrë realizimin e skenarit të paralajmëruar nga vetë opozita për djegien e mandateve sepse një opozitë që vetëvritet politikisht i bën vendit një dëm të madh. Mesazhet e djeshme të BE dhe SHBA më kanë lënë shijen e hidhur të një të vërtete të papëlqyeshme. Një skenar i tillë i padëgjuar është një lloj kamikazllëkun që hedh në erë të zotët e punës por dëmton dhe të tjerët. Nuk është momenti të komentoj mbi këtë skenar. Mund të them që ultimatumet nuk janë demokratike. Pushteti nuk merret në tavolinë dhe populli është tërësia qe qytetarëve që na mandatojnë me votë. Si kryetar i Kuvendit dhe si dikush që kam parë shumë në atë çati duhet të them sot se opozitë më të garantuar për lirinë e shprehjes se kjo e sotmja nuk ka pasur. Prej 5 vite e gjysmë kjo opozitë ka pasur atë që opozita e dikurshme luftoi 4 vjet e gjysmë e nuk e mori dot. Prej 1 viti e gjysmë kjo opozitë ka konsumuar akte të pandodhura më parë në Sallën e Kuvendit.”, tha Ruçi.
Pas 16 shkurtit, kryedemokrati Basha u shpreh se e ka lexuar qartë mesazhin e qytetarëve, cka pasoi vendimin e opozitës së bashkuar për djegien e mandateve të deputetëve. Vendim që nuk është mirëpritur nga ambasadorët e akredituar në vend, për të cilët një veprim i tillë do të minonte demokracinë, por kryedemokrati Basha dhe aleatët e tij, duken të vendosur për të mos patur kthim pas.