Rezarta Hajdari, sipas autopsisë se mjekësisë ligjore u helmua nga monoksidi i karbonit që ka lëshuar gjatë natës mangalli me qymyr që çifti mbajti ndezur në dhomën e gjumit. Ky rezultat i është dërguar prokurorisë së Elbasanit dhe që rrëzon të gjitha dyshimet se vajza mund të kishte pirë helm dhe të ishte vetëvrarë. Madje rrëzon edhe akuzat e familjarëve të saj se nusja e re ishte helmuar nga familjarët e dhëndrit.
Pas kësaj ka reaguar vëllai i 19 vjeçares, i cili pohon se është dakord me ekspertizën e bërë nga mjekët.
Vëllai i të ndjerës, Reshit Xibraku, gjatë një lidhje telefonike për Report Tv, u shpreh se tashmë nuk ka dyshime për vdekjen e motrës së tij, ngjarje kjo, e cila ndodhi vetëm 5 ditë pas dasmës së tyre.
“Analizat i mora. Jo nuk kam asgjë për të thënë. E pranoj se është helmuar nga mangalli.” është shprehur ndër të tjera Xibraku.
Ngjarja e rëndë tronditi mbarë opinionin publik dhe shkaktoi edhe zënka mes krushqinjve pasi familjarët e vajzës hodhën dyshime lidhur me arsyen e vërtetë të vdekjes së 19-vjeçares. Ata madje nuk lejuan familjarët e Olsit të shkonin në varrim por duket se autopsia e dalë sot, ‘vulos’ gjithçka.