Edhe pse është e njohur që në krye të shteteve më të fuqishme të botës ishte dhe mbetet SHBA, edhe për vitin 2020, sipas renditjes të publikuar nga US News dhe World Report, që bënë vlerësimin dhe ndikimin e një kombi, si dhe fuqinë e tij politike, ekonomike dhe ushtarake, SHBA mbetet në krye duke u pasuar nga vendet e tjera si Rusia, Kina, Gjermania, Britania e madhe, Franca etj. Kjo do të thotë se ndikimi i tyre në marrëdhëniet ekonomike e tregtare ndërkombëtare dhe zhvillimet e ekonomisë globale është shumë i fuqishëm. Një faktor ky shumë i rëndësishëm që në politikën e vet ekonomike dhe tregtare, që me ardhjen në pushtet të presidentit Trump, bazuar në moton “Amerika është e para”, vendosi rinegocimin e marrëveshjes së tregtisë me Kinën. Negociata këto që morën kohë, debate e diskutime, keqkuptime dhe mirëkuptime deri sa…; Në datën 15 janar u shënjua përfundimi i negociatave disa mujore ndërmjet SHBA dhe Republikës Popullore të Kinës në lidhje me ato politika, të cilat u pranuan gjerësisht me termin “Luftë tregtare” ndërmjet dy ekonomive më të mëdha të Botës. Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet dy vendeve u cilësua si përfundimi i një faze të parë negociatash, e cila pritet të pasohet nga një tjetër fazë dhe nga një tjetër marrëveshje. Kjo marrëveshje vjen në një periudhë me zhvillime politike të rëndësishme në politikën e brendshme dhe atë të jashtme të SHBA. Nga Forumi Ekonomik i Davosit Presidenti Trump duke anuncuar edhe njëherë faktin e nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë me Kinën, ai ripërsëriti vullnetin e SHBA-ve për zhvillimin e tregtisë së lirë duke theksuar se: “…Ne mbështesim tregtinë e lirë, por ajo duhet të jetë e ndershme dhe reciproke. Sepse në fund të fundit tregtia e pandershme na minon të gjithëve. SHBA nuk do të mbylli sytë kundrejt praktikave ekonomike të pandershme, përfshi vjedhjen masive të pronës intelektuale, subvencionet intelektuale, planifikimin e përhapur ekonomik të drejtuar nga shteti. Këto dhe sjellje të tjera grabitqare po deformojnë tregjet botërore”. Por, pavarësisht momentit në të cilën kjo marrëveshje u nënshkrua, mund të themi që shënon fillimin e një procesi (jo të lehtë) normalizimi të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike ndërmjet SHBA dhe RP të Kinës. Dhe duke marrë në konsideratë faktin që nga kjo marrëdhënie ndikohet edhe rrjedha e marrëdhënieve ekonomike globale, mund të themi se kemi të bëjmë me një zhvillim me rëndësi globale.
Po çfarë përmban marrëveshja e tregtisë SHBA-Kinë?
Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet dy vendeve është një tekst i gjatë 94 faqe dhe pikat më kryesore të saj përmbajnë çështje që lidhen me pronësinë intelektuale, transferimin e teknologjisë, tregtinë në fushën e ushqimeve dhe produkteve bujqësore, shërbimet financiare, politikat makroekonomike dhe të kursit të këmbimit si dhe me marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve. Më konkretisht:
Kapitulli i parë, i marrëveshjes lidhet me pronësinë intelektuale. Në hyrje të këtij kapitulli specifikohet se: “Shtetet e Bashkuara njohin rëndësinë e mbrojtjes së pronësisë intelektuale. Kina njeh rëndësinë e krijimit dhe zbatimit të një sistemi ligjor gjithëpërfshirës, të mbrojtjes dhe zbatimit të pronës intelektuale, pasi shndërrohet nga një konsumator i madh i pronësisë intelektuale në një prodhues kryesor të pronës intelektuale. Kina beson se rritja e mbrojtjes dhe zbatimit të pronës intelektuale është në interes të ndërtimit të një vendi novator, rritjes së ndërmarrjeve të nxitura nga inovacioni dhe promovimit të rritjes ekonomike me cilësi të lartë”. Nga analiza e këtij kapitulli duket se Kina bie dakord të përmirësojë mekanizmat e saj për mbrojtjen e pronësisë intelektuale duke lehtësuar proceset në mënyrë që, kompanitë amerikane të kërkojnë rekurs si në procedurat civile ashtu edhe ato penale, për vjedhjen e sekreteve tregtare, pa zbuluar informacione konfidenciale të biznesit. Marrëveshja përfshin gjithashtu masa më të rrepta në lidhje me patentat, markat tregtare dhe indikacionet gjeografike për të parandaluar piraterinë dhe falsifikimin.
Kapitulli i dytë, lidhet me transferimin e teknologjisë. SHBA dhe RP e Kinës “pohojnë rëndësinë e sigurimit, që transferimi i teknologjisë të bëhet me kushte vullnetare, të bazuara në treg dhe të njohin atë që transferimi i detyruar i teknologjisë është një shqetësim i rëndësishëm. Palët njohin më tej rëndësinë e ndërmarrjes së hapave për të adresuar këto çështje, në dritën e ndikimit të thellë të teknologjisë dhe ndryshimit teknologjik në ekonominë botërore.” Duket se Kina merr zotimin për të mos detyruar kompanitë amerikane që t’ia dorëzojnë teknologjinë e tyre autoriteteve të saj, në këmbim të hyrjes në tregun e madh kinez.
Kapitulli i tretë, lidhet me tregtinë në fushën e ushqimeve dhe produkteve bujqësore. Të dy palët “njohin rëndësinë e sektorëve të tyre të bujqësisë, të sigurimit të furnizimeve të sigurta dhe të besueshme të ushqimit si dhe produkteve bujqësore, të ndihmës për të përmbushur kërkesën e popujve të të dy vendeve për ushqim dhe produkte bujqësore, synojnë të intensifikojnë bashkëpunimin në bujqësi, për të zgjeruar tregun e tyre të ushqimeve dhe produkteve bujqësore dhe për të promovuar rritjen e tregtisë me ushqime dhe produkte bujqësore midis tyre”. Kina bie dakord të lehtësojë disa pengesa për tregtinë në ushqim dhe bujqësi, pengesa që lidhen me standardet shëndetësore të aplikuara për produkte, përfshirë ushqimin e fëmijëve, shpendët, viçin, mishin e derrit, orizin dhe ushqimin e kafshëve shtëpiake. Marrëveshja e bën më të lehtë për prodhuesit e drithërave amerikanë të marrin miratime të lidhura me bioteknologjinë për drithërat e modifikuara gjenetikisht.
Kapitulli i katërt, lidhet me shërbimet financiare. “Palët besojnë se ato kanë një mundësi të konsiderueshme për bashkëpunim dhe përfitim të ndërsjellët në tregtinë bilaterale të shërbimeve. Secila palë kërkon që pala tjetër të sigurojë pjesëmarrje të drejtë, efektive dhe jo-diskriminuese në tregun e saj për furnizuesit e shërbimeve dhe shërbimeve të palës tjetër. Palët do të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar qasje të drejtë, efektive dhe jo-diskriminuese në treg, për furnizuesit e shërbimeve dhe shërbimeve të tjera”. Kina zotohet të ndërmarrë një seri masash për të hapur sektorin e shërbimeve të saj financiare ndaj firmave amerikane, në fusha që variojnë nga shërbimet bankare deri tek vlerësimet e kreditit, shërbimet e pagesave elektronike, administrimi i pasurive dhe sigurimet. SHBA gjithashtu zotohet të lejojë disa shërbime financiare kineze të marrin trajtim rregullues jodiskriminues në SHBA.
Kapitulli i pestë, lidhet me politikat makroekonomike dhe të kursit të këmbimit. SHBA dhe RP e Kinës zotohen se: “Secila palë do të respektojë autonominë e palës tjetër në politikën monetare, në përputhje me ligjin e saj të brendshëm. Palët pranojnë se bazat e forta, politikat e shëndosha dhe një sistem monetar ndërkombëtar elastik, janë thelbësore për stabilitetin e kursit të këmbimit, duke kontribuar në një rritje të fortë, të qëndrueshme dhe investime. Kurset fleksibël të këmbimit, aty ku është e mundur, mund të shërbejnë si amortizues”. Si SHBA ashtu edhe RP e Kinës riafirmuan premtimet e bëra për G20 dhe FMN për të mos zhvlerësuar monedhat e tyre në mënyrë që të ruajnë një kurs të këmbimit të bazuar në treg dhe të zbulojnë publikisht pozicionet e tyre të këmbimit valutor.
Kapitulli i gjashtë, i marrëveshjes lidhet me marrëdhëniet tregtare, ndërmjet dy vendeve dhe specifikon në mënyrë të detajuar llojet e produkteve, që Kina do të importojë nga SHBA gjatë dy viteve të ardhshme. Në lidhje me produktet e manifakturës jo më pak se 77 miliardë dollarë, në lidhje më produktet bujqësore jo më pak se 32 miliardë dollarë, në lidhje me produktet energjetike jo më pak se 52.4 miliardë dollarë, në lidhje me shërbimet jo më pak se 37.9 miliardë dollarë për një shumë totale prej 200 miliardë dollarë. Marrëveshja SHBA-Kinë, përbën hapin e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtarë ndërmjet dy ekonomive më të mëdha të Botës. Sfidat që mbeten për të ardhmen janë shumë të mëdha. Duke filluar që nga ato praktiket që lidhen me zbatimin dhe respektimin e përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje, e deri te negociatat dhe përmbajtja e marrëveshjes së fazës së dytë. Megjithatë hapi i parë duket se është pozitiv për të dyja palët dhe rrjedhimisht edhe për ekonominë globale. Le të presim hapat e ardhshëm.
(Marrë nga Gazeta Telegraf)