Vrasja e biznesmenit të njohur Kastriot Reçi në qendër të Rrëshenit në ditët e para të këtij viti, është një nga krimet që tronditën më së shumti opinionin publik.
Fakti që bëri më shumë përshtypje ishte se vrasja u realizua me snajper nga një distancë prej 200 metrash nga një ndërtesë përballë.
Autori qëlloi me një plumb të vetëm në zemër 47-vjecarin në bulevardin e qytetit menjëherë sapo doli nga lokali i tij.
Së fundmi gazetari investigativ Artan Hoxha ishte i ftuar në programin “Provokacija” , nga ku deklaroi se kjo është një vrasje me kosto të lartë.
Sipas tij një vrasje të tillë mund ta porosisë një organizatë e krimit të organizuar.
“Niveli i krimit varet nga kostoja. Në vrasjen e Rrëshenit është zbuluar një snajper. Po kështu nga hetimet ka dalë se snaperisti hyn me tuta dhe del si femer. Qendron 5 orë në pritje dhe sapo sheh objektivin para një gruaje dhe një fëmije qëllon në shenjë.
Tani nuk po flasim për vrasjen e Kasem Sulejmani me dron nga SHBA-të, po flasim për një vrasje në Rrëshen që është sa “një tepsi”. Prandaj them se kjo është një vrasje me kosto që mund të ketë kushtuar së paku 100 mijë euro.
Ai (ata) që e kanë porositur sigurisht kanë para të ardhura nga krimi. Vrasje të këtij niveli mund të bëhen nga krimi i organizuar, i drogërave të forta ndaj dhe është vështirë të zbulohen”, u shpreh Artan Hoxha.