Edhe ditën e sotme ka vijuar operacioni i Policisë së Shtetit për të ndaluar personat e cilësuar si përgjegjës për dëmtimet që kanë ndodhur në banesat e Tiranës, si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor.
Mësohet se sot ka rënë në pranga biznesmeni i njohur i fushës së ndërtimit Fejzo Dyrmishi.
Deri tani numri i personave të arrestuar për tërmetin ka shkuar në 28.
Ndër ta janë ish-zyrtarë, ndërtues e projektues, për të cilët Prokuroria e tiranës dyshon se janë përgjegjës për dëmtimet e konsiderueshme të banesave.
Ndërkohë që veprimet policore po vijojnë, emrat e disa prej të arrestuarve tashmë janë publikuar. Ndër personat kryesorë, sipas të dhënave të deritanishme, janë ndaluar ish-kryetari i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, si edhe ish-drejtuesit lokalë të Kasharit, Besnik Fuçia e Faik Fejza.