Gazetari Aulon Kalaja ka qenë i ftuar sot në studion e lajmeve në Fax News, ku ka folur për angazhimin e tij në fshatin Bubq, me ndihma për banorët e prekur nga tërmeti.
Kalaja u shpreh se një burim te Rezervat e Shtetit e kishte informuar se qeveria kishte groposur 24 ton ndihma ushqimore, që mund tiu kishin shërbyer fare mirë qytetarëve.
Sipas gazetarit njerëzit e kanë humbur besimin te qeveria, dhe për këtë shkak ndihmat që kanë ardhur në drejtim të organizatave dhe individëve janë shumë herë më të larta.
“Kanë kaluar 45 ditë që ne jemi vendosur atje, nuk e menduam se angazhimi ynë do të zgjaste kaq shumë ditë, nuk ka të bëjë me lodhjen tonë, por me situatën që nuk ka ndryshuar për banorët që jetojnë ende në çadra.
Futbollistët e kombëtares erdhën për të na falenderuar për atë çka ne kemi bërë për banorët.
Ajo që futbollistët panë në terren, i bëri që të ndjeheshin shumë të prekur nga situata, morën emocione të tjera nga ana e banorëve. Duhet thënë fakti që shpirtrat e tyre u trazuan, po bisedoja me mesfushorin tonë të Kombëtares, Skelën, dhe ishte me lot në sy, për kushtet e mbijetesës në të cilën ndodhen banorët.
Fatkeqësisht konstatojmë se pas afro 50 ditesh fotografia në terren është po e njëjta, mua me duket sikur përsëris veten këtu, por vërtet që asgjë nuk ka ndyshuar. Tema e tërmetit në çdo dalje time televizive do të jetë e para, por ata jetojnë ende në çadra dhe në kushte shumë të vështira.
Ne pranojmë çdo gjë përveç parave, e kemi thënë që në krye të herës, e kemi një sfidë dhe me kryeministrin që thotë se nuk pranojmë asgjë përveç parave. Një burim i imi te rezervat e shtetit më ka thënë që janë groposur 24 ton mallra. Këta nuk kanë shpërndarë ndihma, ndihmat po skadojnë, do jetë shumë fatale nëse informacioni do të ishte i vërtetë.
Ne kemi pranuar edhe një batanije si ndihmë, edhe një pako thjerza apo fasule, kryeministri me atë shprehje ka demotivuar solidaritetin, këto nuk janë ndihmat e mija, por të të gjithë qytetarëve, dhe vetëm për shkak të transparencës që ne kemi pasur, ka një angazhim shumë të madh.
Shumica e biznesmenëve që na kanë sjellë ndihma me furgona nuk i njoh fare, por ata janë shtyrë nga transparenca që ne kemi pasur me video, ne kemi shkuar aty për një maratonë, dhe jo për një sprint”, u shpreh Kalaja.
Marrë nga Fax News.