Pas një viti debatesh e konfliktesh, sot në Pallatin e Kongreseve palët politike ranë dakord që të bëjnë sëbashku Reformën Zgjedhore. Por si u arrit të uleshin në tryezë përfaqësuesit e opozitës me “të akuzuarin” Gjiknuri, vetëm një ditë pasi gjykata pushoi çështjen ndaj Lulzim Bashës?!
Kjo është pyetja që shtrohet gjerësisht në media, dhe për këtë u pyet numri II i PS-së Taulant Balla, i ftuar pasditen e sotme në studion e “Abc News”.
Balla tha se kthesën e ka bërë PD-ja, madje e quajti “ndryshim 180 gradë”. Ai mohoi të ketë patur “deal” (marrëveshje të fshehtë) mes palëve para se të organizohej tryeza. Ai u zotua në studion e Abc-së, duke u shprehur: “Nëse do të kishte kulisa unë s’do merresha më me këtë profesion”.
I pyetur nga gazetari Endri Xhafo, nëse reforma zgjedhore do të votohet nga ky parlament, Balla tha prerazi: Po!
“Reforma zgjedhore është bërë gjithmonë me konsensus të partive politike, edhe opozita parlamentare është pjesë e këtij diskutimi. Duhen 84 vota për ta miratuar reformën. Procedura parlamentare e involvon kimisionin e reformës që ta kalojë fillimisht draftin e dakordësuar e më pas votimi në parlament. Pra do votohet nga ky parlament që kemi nga mazhoranca dhe besoj edhe nga opozita parlamentare. ndërsa opozita parlamentare besoj do ta ketë rikhimin në kuvend, përmes procesit të zgjedhjeve në 2021”, u shpreh ai.
Xhafo: Flitet për prapaskena, apo marrëveshje të fshehta sepse tryeza vjen një ditë pasi gjykata pushoi çështjen e lobimit?
Balla: Nuk është aspak e vertete kjo që mund të jetë një marrëveshje, apo lëshim. Unë jam sekretari i përgjithshëm dhe kreu i grupit të PS, kam qenë personi që kam ngritur kallëzimin penal për këtë çështje. Sa i përket çështjes së lobimit, mund të them se ende sistemi i drejtësisë ka prokurorë dhe gjyqtarë të cilët nuk e kanë kaluar testin e vettingut.
“PD nuk ka deklaruar shpenzimet dhe sot pas dy vitesh hetime dhe 2 orëve vendim e verteta nuk ka dalë. Pse nuk u lejua nga gjykata që të vinte të dëshmonte Nikolas Muzin? Nga kush janë paguar mbi 600 mijë USD për lobimin e PD-së në SHBA?”
Sipas tij, anëtarë të KÇK-së i dhanë pafajësinë Lulzim Bashës.
I pyetur nga Endri Xhafo nëse ka patur presion nga ndërkombëtarët për tu ulur në tryezë, ai tha se “qendrimet e SHBA dhe BE kanë qenë publike për të nxitur këtë lloj dialogu. Nuk është sekret”.