Policia e Tiranës ka vënë në pranga 44-vjeçarin Mondi Voga nga Fushë-Kruja pasi është kapur me armë zjarri. Duke iu referuar njoftimit zyrtar të Policisë, Voga lëvizte me makinë të blinduar në rrugën interurbane Vorë-Krujë dhe përdorte sisteme pamore shtesë.
Ndërkaq, pasi ka vënë re këtë gjë, policia e ka ndaluar 44-vjeçarin dhe pas kontrollit ka rezultuar se Mondi Voga drejtonte automjetin e blinduar pa autorizimin përkatës dhe me mangësi në dokumentacionin e mjetit. Gjatë kontrolli i është gjetur edhe një armë zjarri pa leje, e tipit TT.
Automjeti i blinduar është sekuestruar dhe ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ndërsa Mondi Voga është ndëshkuar edhe me masën administrative “Tërheqja e lejes së drejtimit”.
Kush është Mondi Voga?
Mondi Voga është miku i prokurorit Arjan Ndoja, i cili ra pre e një atentati në muajin tetor të një viti më parë. Në vitin 2018, në muajin korrik, i arrestuari Mondi Voga u shpall në kërkim nga Policia pasi akuzohej për dhunë ndaj avokatit Ilia Ilia. Ngjarja ndodhi përballë Gjyaktës së Durrësit dhe u filmua nga kamerat e sigurisë.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Policia Rrugore e kryeqytetit, në vijim të kontrolleve parandaluese për aksidentet rrugore, verifikimin e automjeteve që përdorin sisteme pamore dhe zanore shtesë, si dhe në zbatim të planit të masave të DVP Tiranë për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri, gjatë monitorimit të sjelljes se përdorueseve të rrugës, në rrugën interurbane Vorë-Krujë ka konstatuar në lëvizje një automjet që përdorte sisteme pamore shtesë dhe menjëherë është vënë në ndjekje të tij duke e ndaluar atë.
Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit me iniciale M. V., 44 vjeç, nga Fushë Kruja rezultoi se drejtonte një automjet të blinduar pa autorizimin përkatës dhe me mangësi në dokumentacionin e mjetit.
Nisur nga mangësitë dhe përdorimi i sistemeve pamore shtesë, nga patrulla e Policisë Rrugore u bë edhe një kontroll i imtësishëm, gjatë të cilit, këtij shtetasi, në çantën e dorës iu gjet edhe një armë zjarri pa leje, e tipit TT. Menjëherë u bë arrestimi i tij në kushtet e flagrancës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Automjeti i blinduar u sekuestrua ne ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime te tjera hetimore e procedurale. Ndërkohë, ky shtetas është ndëshkuar edhe me masën administrative “Tërheqja e lejes së drejtimit”, për përdorim të sistemeve shtesë dhe mungesë të dokumentacionit të automjetit të blinduar.