Prokuroria e Krujës ka reaguar pas lirimit nga burgu të Endrit Dokles, i cili tashmë është i lirë pas vendimit të Gjykatës.
Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, Prokuroria bën me dije se Dokle sipas vendimit të Gjykatës është në provë për pesë vitet e mbetura të dënimit të tij që mos të shoqërohet me persona të inkriminuar dhe të mos mbajë e zotërojë armë.
Ndër të tjera në këtë njoftim, akuza shprehet se ka qenë kundër këtij vendimi dhe këtë gjë e ka shprehur gjatë gjithë procesit.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, Dokle nuk plotëson kushtet ligjore të parashikuara nga neni 64 i kodit Penal, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma.
Në fund të njoftimit bëhet e ditur se vendimi do të kalojë në Apel dhe do të kërkohet që anëtari i bandës së Durrësit të kthehet në qeli.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Shkallës së Parë Krujë me vendimin nr. 6/123 datë 14.01.2020 vendosi : “Pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle. Lirimin me kusht të kërkuesit Endrit Dokle, i biri i Mensurit dhe i Rahimes datëlindja 31.12.1983, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, duke e vënë në provë për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh. Në zbatim të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet Endrit Dokle që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të caktuar kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale. Në zbatim të nenit 60 pika 10 e Kodit Penal detyrohet kërkuesi Endrit Dokle që gjatë periudhës së provës të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë. Urdhërohet kërkuesi Endrit Dokle të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës”.
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë ka qenë pjesmarrëse në këtë proçes dhe ka mbajtur qëndrimin e plotë për rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se jo vetëm se nuk plotësohen kushtet ligjore të parashikuara nga neni 64 i Kodit Penal, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma. Gjithashtu prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çëshjtes me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të kërkuesit, kërkesë e cila nuk është pranuar nga gjykata. Të gjitha kundërshtimet në lidhje me shkeljet proçedurale si dhe zbatim të gabuar të ligjit Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë do ti parashtrojë në ankim brenda afatit ligjor.