Në Zyrën Postare Priskë, vjehrra punon në vend të nuses. Firmos dhe vulos për të, edhe pse ka 2 vite që ka dalë në pension. Pasi doli në pension, vendin e punës e trashëgoi nusja e djalit të saj, por në punë vazhdon të qëndrojë vjehrra.
Fiksi solli me zë dhe figurë disa herë zonjën Teuta Deliu duke kryer veprime në zyrën postare, një vend pune në të cilin është e emëruar nusja e djalit të saj Vjollca Deliu. E reja është emëruar në këtë pozicion pune dy vite më parë, pikërisht duke zëvendësuar vjehrrën e saj e cila doli në pension.
Bashkëpunëtorët e Fiksit ndoqën nga afër punën në këtë filial poste ku panë se zonja Teuta Deliu punonte madje shpërndante pensione dhe pagesa invaliditeti. Pas këtyre fakteve gazetarët e Fiksit shkojnë në zyrën postare Priskë, ku gjejnë sërish Teuta Deliun, ish punonjësen e postës të dalë në pension, ajo tregon për gazetarët se ndihmon nusen e djalit të saj.
“Unë ndihmoj nusen e djalit në këtë punë, kam 2 vite që kam dalë në pension, por e ndihmoj. E di që është shkelje ligjore por e bëj” thotë Teuta.
Teuta Deliu telefonon nusen e saj, për të cilën thotë fillimisht se ka shkuar në tualet, e pastaj e justifikon me pretendimin se nusja ka nënën sëmurë.
“Po ja moj ishte në tualet, pastaj mori vesh për të ëmën” thotë znj. Teuta.
Ajo tregon për Fiksin se është pensioniste dhe për të vërtetuar këtë ajo printon dokumentin e tërheqjes së pensionit, ku shënohet punonjësja Vjollca Deliu dhe marrësja Teuta Deliu, kjo e fundit firmos tek të dy emrat në prezencë të kamerave të Fiksit. Madje ajo thotë “Po, unë firmos tek emri i Vjollcës”.
E sinjalizua nga vjehrra në postën Priskë paraqitet edhe nusja Vjollca Deliu. Ajo pohon për kamerën e Fiksit, se ajo është punonjëse e postës Priskë, por pikërisht atë dite kishte munguar dhe e kishte zëvendësuar vjehrra për arsye familja. E pyetur edhe për raste të tjera që ajo nuk është gjetur në pozicionin e saj të punës në orarin e punës, Vjollca justifikohet se ndonjëherë mungon pasi në atë zonë nuk ka postier për shpërndarjen e pensioneve nëpër shtëpitë e pensionistëve. Por pyetjes së gazetarëve të Fiksit se pse në zyrë vjen vjehrra e saj e cila ka dalë në pension dhe jo vetë ajo, Vjollca Deliu refuzon të përgjigjet.
“Nuk kam koment për asgjë, nuk mund të përgjigjem, nuk është e vërtetë që vjehrra ime kryen këtu veprime, të gjitha këto janë shpifje” thotë Vjollca Deliu. Ndërkohë që Fiks Fare faktoi që punën që duhet të bënte Vjollca Deliu e bënte vjehrra e saj që prej 2 vitesh kishte dalë në pension.
Marrë nga Top Channel