Lajme të reja vinë edhe nga politika e Kosovës.
Mësohet se pas dorëheqjes si kryeministër, Ramush Haradinaj ka hequr dorë edhe nga posti i kryetarit të partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në argumentimin që ka bërë për vendimin në fjalë, Haradinaj është shprehur se do të jetë vetëm ushtrues detyre i kësaj pozite deri në Kuvendin e Ri të Aleancës, pasi kjo parti së shpejti do të mbajë zgjedhje të brendshme.
“Jam i dorëhequr. Do të thotë prej kuvendit të fundit të punës që e mbajtëm jam i dorëhequr. Kryej vetëm funksionet në dorëheqje që i kemi deri në zgjedhje’, thotë ai.
Në një intervistë për Europa Online, Haradinaj është shprehur se kanë vendosur kritere të reja të organizimit të AAK-së duke përfshire dhe organizimin në 5 degë speciale në Prishtinë.
Haradinaj shpjegon se në strukturat e partisë nuk do të ketë pozita ex-officio as për kandidat as për poste dhe të gjithë personat që udhëheqin pozita në AAK do t’i nënshtrohen procesit zgjedhor nga baza.
Kujtojmë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), më 29 dhjetor të vitit që lamë pas shpalli zgjedhjet e reja të brendshme.