Pas hetimeve të vrasjes së gazetares investigative malteze, Caruana Galizia, kryeministri maltez Joseph Muscat, ka dhënë dorëheqjen.
Ndërkaq, pas fillimit të hetimeve për vrasjen e para dy viteve të gazetares Daphne Caruana Galizia, vendin e kaploi një krizë politike dhe kushtetuese.
Parlamenti Europian ka dërguar misionin hetimor në Maltë, ku po bëhen hetime edhe mbi financat publike.
Atentati mafioz, dyshimi mbi bandat shqiptare
Dy vite më parë një ngjarje tragjike tronditi shtetin e Maltës. Gazetarja investigative malteze Daphne Caruana Galizia, u vra në një atentat mafioz në vitin 2017, kur poshtë makinës së saj u vendos një sasi e madhe eksplozivi. Në bazë të hetimeve të kryera, autoritetet malteze, kanë bërë të mundur të identifikojnë dy vëllezër, të cilët dyshohen si autorë të ngjarjes së rëndë në vrasjen e gazetares, e cila me shkrimet e saj faktoi lidhjet dhe veprimet korruptive të qeverisë së Maltës.
Gazeta e njohur dhe me shumë ndikim në Maltë, “Sunday Times of Malta”, raporton se dy vëllezërit e dyshuar kanë lidhje me grupe kriminale shqiptare, të cilat mendohet se kanë të shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në kontinentin e Europës. Sipas saj, policia e Maltës po heton aktualisht nëse eksplozivi që u përdor për vrasjen e gazetares e ka origjinën nga Shqipëria. Grupi hetimor thekson se dy vëllezërit dyshohet se kanë marrë sasinë e tritolit nga Shqipëria, dhe për këtë, thuhet se i ka ndihmuar një person apo grup ndërmjetës. Dy vëllezërit e dyshuar nuk janë të panjohur për policinë vendase.
Në skedat që disponon policia, ata rezultojnë të përfshirë në disa vepra të tjera penale, si trafik droge dhe kontrabandë cigaresh. Në lidhje me vrasjen mafioze të gazetares që zbuloi lidhet korruptive të qeverisë në Maltë janë arrestuar tre persona, mes tyre dy vëllezër, ndërsa i treti ka shfaqur gatishmëri për të bashkëpunuar me policinë në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. Gazetarja e njohur u vra katër muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2017, të cilat u organizuan pasi ajo akuzoi kryeministrin e atëhershëm Joseph Muscat dhe gruan e tij për lidhje me skandalin “Pamana Papers”.