Tërmeti i mëngjesit të martës ishte i shkallës 6.4 Rihter, por në Durrës është ndjerë i shkallës 8 Rihter. Diçka të tillë e deklaroi pak minuta më parë inxhinieri Arben Meçe, i cili foli për gazetarin e Faxnews, Sokol Dema për pallatet e dëmtuara pas tërmetit.
Sipas inxhinierit, Durrësi e përballoi më së miri këtë tërmet. Madje, ai shtoi se qyteti është gati të përballojë edhe një tërmet tjetër deri në 9 ballë.
“Do të fillojë çdo gjë nga fillimi se nuk ka gjë tjetër. 6.4 ka qenë në qendër tërmeti, kur është transmetuar ka qenë mbi 8. Durrësi arriti ta përballonte me sukses, por ishte edhe një eksperiment për ndërtuesit për të kuptuar se kjo tipologji e re reziston në një element, por jo në një tjetër.
Muret që janë bllokuar dhe thuhet që nuk duhet të futesh, përbëjnë risk nga çdo lëkundje tërmeti. Një tërmet 5 ballësh i orientuar drejt murit e rrëzon. Tërmeti është i pabesë. Durrësi është zonë sizmike dhe nëse ne na mbërriti me 7 Rihter në Tiranë, këtu doli 8. Disa ndërtimet nuk kanë problem qëndrueshmërie dhe mund të përballojnë edhe tërmetin 9 edhe një herë. Mbi 9 është një punë tjetër pastaj”, u shpreh inxhieri Arben Meçe.
Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit sqaroi edhe arsyet se përse një pjesë e pallateve janë prishur e plasaritur në Durrës, ndërsa të tjerë jo. Meçe deklaroi se pallatet që janë ndërtuar me bërthamë betoni dhe me pllaka , kanë rezistuar. Ndërsa ato banesa të ndërtuara me një tipologji të re pas vitit 2010 kanë qenë më delikate dhe janë shpallur të pabanueshme.
Në fund ai ju bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë pas tërmetit dhe të mos futen në ato pallate që janë shpallur të pabanueshme.