Monitorimi i kontratave koncesionare, deri tani ka rezultuar jashtë kontrollit shtetëror dhe me problematika të shumta.”
Në këtë përfundim ka arritur Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportit e Buxhetit Faktik për vitin 2018, duke i tërhequr vëmendjen qeverisë për përdorimin e PPP-ve dhe mungesës së kontrollit ndaj tyre.
Problemet me zbatimin e buxhetit 2018 nga qeveria, sidoqoftë, janë më të shumta se sa thjeshtë PPP-të.
Në hyrje të raportit, KLSh shprehet:
“Në opinionin tonë, bazuar në evidencat e auditimit, […] rezulton se për disa zëra buxhetorë, përfshirë nivelin e deficitit dhe borxhit publik, ka devijime materiale dhe të përhapura në drejtim të hartimit, ekzekutimit, monitorimit dhe raportimit jo në përputhje me Ligjin nr. 109/2017, datë 30.11.2017, “Për buxhetin e vitit 2018” […]. (faqja 1)”
Raporti thekson se shumë prej shkeljeve janë kryer me qëllim që borxhi publik të shfaqet më i ulët se sa është në të vërtetë, me fjalë të tjera, për të treguar se shteti shqiptar ka ‘shëndet të mirë’ financiar dhe fiskal:
“Në kushtet e presioneve në treguesin e deficitit dhe borxhit publik, ndikuar nga problematikat sistemike të evidentuara në zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 nga entet publike, nga ana e strukturave përgjegjëse janë marrë masa jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke përfshirë mos planifikim të plotë të shpenzimeve, mosrespektim të radhës prioritare për buxhetimin e projekteve në vazhdim, kryerjen e shpenzimeve të pa mbështetura me plan buxhetor, mos lejim përdorimi fondesh buxhetore të miratuara nga Kuvendi për njësitë e pushtetit vendor, mos raportim të plotë të shpenzimeve për disa zëra buxhetor, me qëllim raportimin e treguesit të deficitit dhe disa zërave buxhetor brenda kufijve të miratuar.
Detyrimet e prapambetura dhe stoku në rritje i rimbursimit të TVSH nuk reflektohen në treguesit e konsoliduar fiskal, treguesin e deficit, dhe treguesin e borxhit publik për vitin 2018.
Procesi i ekzekutimit të buxhetit të shtetit nëpërmjet sistemit të thesarit nga të gjitha hallkat, rezulton me thyerje të përhapura të zbatimit të kontrolleve dhe masave parandaluese, detektuese, dhe korrigjuese që do të garantonin disiplinimin fiskal të sektorit publik. (faqja 1-2)”
Me pak fjalë, kjo do të thotë se Ministria e Financave ka raportuar një deficit buxheti në masën 1.6 për qind të PBB-së shqiptare, por që në realitet deficiti është 2.2 për qind, që është mbi kufirin ligjor që parashikon se deficiti nuk mund të jetë më i lartë se 2 për qind.
Gjithashtu borxhi publik është dukshëm më i lartë, rreth 69.7 përqind, krahasuar me 67.2 për qind, shifrën zyrtare të raportuar nga Ministria e Financave.
Mënyra se si qeveria u përpoq për të fshehur këtë deficit më të lartë është pjesërisht duke bërë pjesën më të madhe të shpenzimeve të saj në dhjetor, duke krijuar kështu “paqëndrueshmëri fiskale”.
KLSH shkruan se qeveria ka bërë “32 për qind të realizimit të Investimeve me Kapital të Brendshëm në muajin Dhjetor”.