Historia e celulës terroriste që u zbulua dje nga Policia Shqiptare, ku 4-shja e përbërë nga Peyman, Abdolkhaleg Malek Zadeh, Erwin Aram dhe Abdulselam Turgut organizuan një sulm terrorist në mars të 2018, sjell në vëmendje rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga grupet terroriste.
Vendi ynë nuk ka patur imunitet nga këto grupe terroriste, që sot kanë ndryshuar format e organizimit dhe të hyrjes në Shqipëri.
Grupi i QUDS ((Forcat revolucionare të regjimit Iranian) ka hyrë në Shqipëri përmes pasaportave austriake, duke arritur të kamuflohen, ndërsa njëri prej tyre “Erwin Aram”, ka takuar edhe familjarë të tij, në kampin e MEK.
“Dyndja” e grupeve terroriste në Shqipërinë e trazuar të 1995-2000.
Terroristët në Shqipëri hynë përmes organizatave të bamirësisë në vitet 1995-2000. Ata përdornin rolin e bamirësit, ndërkohë që policia dhe autoritetet shqiptare ishin shumë të dobëta për të zbuluar dhe identifikuar ato.
Një Shqipëri në kaos si ajo e viti 1997 ishte habitati ideal për vend strehimi për terroristë dhe kriminelë të ndryshëm, që përdorën vendin tonë për t’u fshehur nga autoritetet amerikane, që i gjurmonin ato dhe lidhjet e tyre me Al-Qaeda-n.
Në vitin 1998, në SHIK, (Shërbimi Informativ Shtetëror i asokohe), u dha informacioni i parë se një terrorist egjiptian ndodhej në Shqipëri dhe ishte duke ndërtuar celulën e parë terroriste në Ballkan. Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato që i sollën shtetit shqiptar të gjitha dokumentet, pasaportat dhe identitetet e personave të akuzuar për terrorizëm dhe që fshiheshin dhe vepronin në Shqipëri.
Këtu u zbulua edhe terroristi i parë dhe ndoshta më i rrezikshëm për të cilin është dëgjuar në Shqipëri…
Salah El-Sayed, një 28-vjeçar egjiptian, kishte hyrë në Shqipëri në vitin 1993, dhe akuzohej se kishte kryer 25 akte terroriste në Egjipt, Kenia apo Tanzani.
Autoritetet shqiptare arritën asokohe në përfundimin se Shqipëria për terroristët ishte një vend strehimi, jo një vend shënjestër për sulme terroriste.