“Negociatat për Shqipërinë shtyhen në gjysmën e parë të vitit 2020”, kështu thuhet në raportin final të përgatitur pas mbledhjes së ministrave të Bashkimit Europian ditën e djeshme.
Ky raport do t’i dorëzohet nesër kryeministrave të Bashkimit Europian.
Por ndryshe nga Shqipëria, në dokumentin final kërkohët hapja e negociatave për Maqedoninë e e Veriut.
“Para konferencës së parë ndërqeveritare, e cila duhet të zhvillohet jo më vonë se në gjysmën e parë të vitit 2020, në varësi të përparimit të arritur, Shqipëria duhet të sigurojë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, dhe të bëjë përparim të mëtejshëm në reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR.” thuhet në dokumentin final të ministrave të BE-së.
Në kuadër të progresit të arritur tek reformat dhe kushtet të vendosura njëzëri nga Këshilli në qershor 2018, Këshilli pajtohet me hapjen e negociatave të pranimit jo më vonë se në gjysmën e parë të vitit 2020, dhe fton Komisionin të paraqesë, pa vonesë, një propozim për një kornizë për negociatat në përputhje me konkluzionet e Këshillit Europian në dhjetor 2006 dhe në përputhje me paragrafin 3. Për të mbështetur rrjedhën e reformës, parimi i parë themelor duhet të jetë i integruar në procesin e negociatave, duke përfshirë një qasje të përforcuar më tej ndaj sundimit të ligjit. Korniza e bisedimeve do të miratohet nga Këshilli.
Para se të hapen kapitujt e parë, Shqipëria duhet të adresojë çështjet e mëposhtme:
Fillimin e hetimeve ndaj gjykatësve dhe prokurorëve për sjellje kriminale si rezultat i gjetjeve të procesit të vettingut. Fillimin e hetimeve në rastet e pretendimeve për mashtrim elektoral. Sigurimin e funksionimit të SPAK.
Forcimin e mëtejshëm të historikut të hetimeve, procedimeve dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë këtu edhe nivelet e larta
Miratimin dhe zbatimin e ligjit zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Zbatimi i çdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.
Këshilli inkurajon Shqipërinë të vazhdojë përpjekjet për reformat, veçanërisht në fushat themelore për procesin e pranimit në BE. Partitë opozitare duhet të përfshihen sërish në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike. Të gjithë aktorët politikë duhet të angazhohen në axhendën e reformave të BE-së dhe të dialogojnë për të kapërcyer polarizimin politik.