Kërkimi për “eliksirin e rinisë” ka “pushtuar” prej kohësh të gjitha kontinentet, por kohët e fundit duket se ka kapluar banorët në ishujt japonezë të Okinawas. Jo vetëm që banorët e vjetër kanë moshën më të madhe se kudo tjetër në Tokë, por pjesa më e madhe e atyre gëzojnë shëndet shumë të mirë.
E veçanta e këtyre njerëzve është që jetojnë më shumë se 100 vjeç. Për çdo 100.000 banorë, në ishujt Okinawa ka të moshuar 68-vjeçarë tre herë më shumë se popullsia amerikane me të njëjtën madhësi. Edhe sipas standardeve të Japonisë, njerëzit në ishujt Okinawa janë të jashtëzakonshëm dhe kanë gjasa që të jetojnë më shumë se 100 vjeç.
Prej kohësh shkencëtarët kanë provuar të zbulojnë sekretet e jetëgjatësisë së këtyre njerëzve dhe stilin e tyre të jetesës. Një nga faktorët që ka tërhequr kohët e fundit vëmendjen e shkencëtarëve është dieta e banorëve me nivel të karbohidrateve të larta dhe proteina të ulëta, që banorët i marrin kryesisht nga përdorimi i patates së ëmbël.
“Dieta e tyre është shumë e ndryshme nga të gjitha dietat që kemi parë deri tani, ata konsumojnë pak proteina dhe përpiqen të largojnë ushqimet që mbartin karbon,” shprehet Samantha Solon Biet, e cila merret me hulumtimin e ushqimit dhe plakjes në Universitetin e Sidneit.
Pra, a mundet që një dietë me proteina të ulëta, të jetë sekreti i një jete të gjatë dhe të shëndetshme?
Edhe pse do të ishte shumë herët për të sugjeruar ndonjë ndryshim në stilin e jetës bazuar në këto vëzhgime, provat e fundit nga studimet për jetëgjatësinë e njerëzve tregojnë që duhet t’u kushtojmë vëmendje serioze gjetjeve. Sipas tyre, një dietë me proteina dhe karbohidrate të larta na mbron nga sëmundje të ndryshme të lidhura me moshën, përfshirë kancerin, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjen e Alzhemierit.
Pjesa më e madhe e këtij vëzhgimi vjen nga “studimi 100-vjeçar i Okinawas”, i cili ka mbikëqyrur shëndetin e popullatës që prej vitit 1975. Studimi ka ekzaminuar banorët nga i gjithë vendi dhe të dhënat kanë treguar se banorët në këto ishuj mund të preknin moshën 100 vjeçare pa pasur asnjë sëmundje tipike të plakjes, si sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, apo demencian.
Duke pasur parasysh këto rezultate, nuk ka dyshim se ishujt Okinawa kanë një popullsi të jashtëzakonshme. Por çfarë mund ta shpjegojë atë jetëgjatësi të jashtëzakonshme?
Sipas ekspertëve, gjenet janë një faktor shumë i rëndësishëm. Falë vendit ku jetojnë, banorët për kohë të tëra kanë jetuar të izoluar nga pjesa tjetër e botës, gjë që mund t’u ketë dhënë atyre këtë profil gjenetik. Studimet e ndryshme kanë treguar se ka një variant gjenesh të veçantë, të quajtura APOE4, që duket se rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe Alzhemierit. Por tek këta banorë është vënë re zhvillimi i gjenit FOXO3, që është përgjegjës për rregullimin e metabolizmit dhe rritjen e qelizave. Gjithashtu, ky gjen bën që njerëzit të kenë një shtat të shkurtër, por zvogëlon rrezikun e sëmundjeve që vijnë me moshën.
Studimi ka zbuluar që banorët e ishujve Okinawa kanë më pak gjasa të pinë duhan sesa shumica e popullatave dhe duke qenë se ata kanë punuar kryesisht në bujqësi dhe peshkim, janë aktivë fizikisht. Komunitetet e tyre të vogla dhe të varfra kanë ndihmuar banorët të jenë aktivë edhe në pleqëri. Marrëdhëniet dhe komunikimi mes njëri-tjetrit gjithashtu ka ndikuar. Banorët e ishujve Okinawa janë shumë të shoqërueshëm dhe kjo ka ndikuar në përmirësimin e shëndetit të tyre. (Në të kundërt, vetmia ka treguar se është po aq e dëmshme sa pirja e duhanit me 15 cigare në ditë)
Sidoqoftë, shkencëtarët kanë cilësuar se është dieta e banorëve ka qenë faktori kryesor që mund të ketë më shumë potencial për të ndryshuar pikëpamjet e tyre mbi plakjen e shëndetshme. Në dallim nga pjesa tjetër e Azisë, diçka e veçantë e këtyre banorëve është se ata nuk kultivojnë oriz, por pataten e ëmbël, e prezantuar për herë të parë në fillim të shekullit të 17. Banorët e ishujve Okinawa konsumojnë gjithashtu edhe shumë ushqime të tjera me bazë bimore, ndërsa mishi është një përbërës i vogël në konsumimin e tyre të përgjithshëm.
Ekspertja Solon Biet ka realizuar një seri studimesh, duke shqyrtuar ndikimin e përbërjes dietike në plakjen dhe ka konstatuar vazhdimisht se një dietë me proteina të ulëta, ul ritmet e plakjes. Edhe pse nuk ka ndonjë provë klinike tek njerëzit, Solon Biet thotë se puna epidemiologjike në të gjithë botën arrin në përfundime të ngjashme.
“Popullsitë e tjera me jetë të gjatë gjithashtu kanë treguar se kanë modele dietike që përfshijnë sasi relativisht të ulët të proteinave. Këto përfshijnë edhe fisin Kitavans, të cilët jetojnë në një ishull të vogël në Papua Guinean e Re, njerëzit e Amerikës së Jugut dhe popullatat që konsumojnë dietën mesdhetare”, shprehet ajo
Ashtu si kufizimi i kalorive, dietat me bazë të ulët të proteinave duket se promovojnë riparimin dhe mirëmbajtjen e qelizave. Karen Ryan, një biolog ushqimor në Universitetin e Kalifornisë, thekson se mungesa e aminoacideve mund të inkurajojë qelizat të riciklojnë proteinat e vjetra, në vend që të sintetizojnë proteina të reja.
“Së bashku, këto ndryshime mund të parandalojnë akumulimin e proteinave të dëmtuara brenda qelizave. Ndërtimi masiv i proteinave të dëmtuara në organizëm, zakonisht mund të jetë përgjegjës për shumë sëmundje, por pastrimi i rregullt kur hamë një dietë me proteina të ulëta mund ta parandalojë këtë gjë,” thotë ajo.
A duhet që të gjithë të hamë si në ishujt Okinawa?
Sipas Ryan, shëndeti i banorëve të këtyre ishujve është një çështje shumë e madhore, pasi ata kanë pasur fatin e mirë që gjenetika e të parëve ka qenë e ndërthurur me dietën ushqimore dhe brezat e kanë trashëguar këtë traditë, kështu që sipas saj, ne nuk mund të zgjohemi një ditë dhe të përdorim ditën e tyre duke besuar se tashmë do të na ndryshojë jeta.
“Ne mund të kemi nevojë edhe për shumë vite të tjera kërkimesh, për rëndësinë e secilit produkt dhe gjen, përpara se të arrimë të realizojmë një recetë të vërtetë për eliksirin e rinisë,” shton ajo. /BBC – Gazeta Si/