Personi që shihni në foto është Santiago Malko, ish-efektivi policisë që u ekzekutua mbrëmë me breshëri plumbash në një atentat mafioz në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.
Malko u qëllua nga persona të maskuar të cilët e ndoqën me një furgon tip ‘Benz’. Santiago Malko pas të shtënave ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me murin e një banese, ndërsa ka tentuar të nxjerrë dhe një pistoletë që kishte me vete për t’ju përgjigjur atentatorëve, por nuk ka mundur. 26 vjeçari është gjetur i pajetë brenda makinës së tij “BMW X5”.
Santiago Malko nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare.
Ai ka qenë disa herë protagonist i kronikave, fillimisht në vitin 2016 kur në rrugën “Islam Alla” në Tiranë ka patur një konflikt me disa persona që zotëronin një pikë basti. Dyshohet se gjithçka nisi për një borxh të pashlyer dhe në debat e sipër ai kishte tentuar t’i qëllojë me pistoletë.
Malko ka qenë asokohe pronar i disa basteve dhe njihej ndryshe si ‘bosi i lojërave të fatit’.
Malko njihej gjithashtu edhe si mik i Elvis Martinajt, një prej protagonistëve të vrasjes së bujshme në ish-Bllok. Ai ishte kapur nga kamerat pranë seknës së krimit ku si pasojë u vra Fabian Gaxha, dhe ndërkohë u plagosën Eljon Hato dhe vetë Ervis Martinaj.
Mësohet se ai kishte përfunduar kursin për Patrullë të Përgjithshme dhe ka qenë pjesë e kësaj strukture në Policinë e Tiranës vetëm për 3 muaj, më pas është tërhequr vetë nga Policia.
Bashkëshortja e tij vazhdonte të ishte pjesë e Policisë së Tiranës, në njësinë “Shqiponja”.