Kontrollet e hershme tek mjeku specialist dhe ndryshimi i stilit të jetesës ndihmojnë në uljen e riskut për t’u prekur nga ndërlikimet e kancerit të gjirit, i cili mbart edhe pasoja fatale për jetën. Duke lënë mënjanë faktorët që janë të pandryueshueshëm si : gjinia, mosha, faktorët gjenetikë dhe historia familjare”, ekspertët e shëndetit publik thonë se shanset për të trajtuar në mënyrë efikase kancerin e gjirit janë shumë të larta, në rast se bëhet kujdes me diagnostikimin e hershëm të sëmundjes, si dhe kontrollimit të faktorëve risk të stilit të jetesës.
Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar faktorët e lidhur me stilin e jetesës që duhet t’i monitoroni, si dhe këshillat që duhen ndjekur për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Autoritetet shëndetësore raportojnë se në vendin tonë, kanceri i gjirit është kanceri që haset me shpesh dhe zë vendin e parë në shkaqet e vdekjeve tek femrat, ku çdo vit diagnostikohen 350-400 raste të reja të prekura nga kjo sëmundje.
“Në ditët tona, kanceri i gjirit mund të kurohet në pjesën më të madhe të rasteve, mjafton të diagnostikohet në kohë. Kanceri i gjirit mund të mjekohet me sukses nëse ju e zbuloni sa më shpejt atë. Nëse ndryshimet që ndodhin në gjinjtë tuaj kapen qysh në fillim, ky është një shans shumë i mirë për ju, për një mjekim të suksesshëm”, bëjnë me dije specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.
Mbipesha shton riskun për kancer gjiri
Mjekët sqarojnë se shtimi i riskut për t’u prekur nga kanceri i gjirit , si pasojë e mbipeshës shfaqet sidomos në rastet kur gratë kanë kaluar në menopauzë. Me sa duket shpjegimi duhet të jetë tek fakti se shumica e estrogjenit pas menopauzës vjen nga indi dhjamor (dhe jo nga vezoret). Gjithashtu është vërejtur se dhjamni në zonën e belit është shumë më i rrezikshëm, se sa si në zonën e këmbëve. Kontrolli i dietës ushqimore dhe aktiviteti fizik mund të mbajnë në kontroll depozitimin e indit dhjamor, duke parandaluar në këtë mënyrë një përqindje të konsiderueshme të kacereve të gjirit.
Lindja e fëmijëve dhe ushqyerja me gji
Gratë që nuk kanë pasur fëmijë, ose ato që e kanë lindur fëmijën e tyre të parë pas moshës 30 vjeç kanë një risk (lehtësisht) më të lartë për kancer gjiri. Shumë shtatzani, si dhe shtatzënitë në moshë të hershme duket se ulin riskun për t’u prekur nga kanceri i gjirit. Kjo shpjegohet me uljen e numrit total të cikleve menstruale, si pasojë e shtatzanive. Ndërkohë që ndihmë në parandalimin e kësaj sëmundjeje luan edhe ushqyerja me gji. Disa studime të kryera kanë treguar se ushqyerja e gji mund të ulë rrezikun për t’u prekur nga kanceri i gjirit. Kjo veçanërisht në rastet kur ushqyerja e fëmijës me gji vazhdon jo vetëm për pak muaj. Mjekët sqarojnë se nënat që i ushqejnë të vegjlit e tyre me qumështin e gjirit për më shumë se një vit, apo dhe kur vijon ushqyerja deri në vitin e dytë, janë më të mbrojtura nga shfaqja e kancerit të gjirit.
Përdorimi i kontraceptivëve oralë dhe terapitë hormonale
Kontraceptivët oralë e shtojnë riskun për t’u prekur nga kanceri i gjirit. Kjo veçanërisht në rastet kur përdorimi i tyre vazhdon për një periudhë të gjatë kohore. Është e nevojshme që të merret këshilla e mjekut mbi kohëzgjatjen e përdorimit të tyre. Studimet kanë treguar se me kalimin e kohës ky risk normalizohet në rast se ndërpritet përdorimi i tepruar i këtyre kontraceptivëve oralë. Po sipas ekspertë ve të shëndetit publik, edhe përdorimi i estrogjenit (ndonjëherë me progresteronin), si terapi zëvendësuese është përdorur për shumë kohë për të ndihmuar uljen e simptomave të menopauzës, si dhe për të parandaluar osteoporozën. Disa studime të kryera tek pacientët kanë treguar një shtim të riskut për kancer të gjirit në përdorimin e kombinuar të hormoneve (jo estrogjen vetëm). Ndërkohë, ashtu siç u tha për kontraceptivët oralë, risku pritet të normalizohet brenda 5 vitesh nga ndërprerja e mjekimit me terapinë hormonale zëvendësuese.
Kujdes me alkoolin dhe duhanin!
Një tjetër faktor risku për këtë sëmundje bëhet edhe konsumimi i lartë i alkoolit. Specialistë t e shëndetit thonë se konsumi i alkoolit, është parë të jetë i lidhur qartë me riskun e rritur për kancer të gjirit. Ky risk shtohet në varësi të volumit të alkoolit të konsumuar. Një gotë në ditë nuk e rrit në mënyrë sinjifikative riskun për të bërë kancer të gjirit. Por, ato që pinë nga 2 deri në 5 gota në ditë e kanë 50 për qind më të lartë rrezikun për të shfaqur simptomat e kësaj sëmundjeje, e cila zhvillohet me stade të ndryshme me kalimin e kohës. Ndërkohë që nuk duhet harruar se përdorimi i tepruar i alkoolit nga femrat shton rrezikun edhe për lloje të tjera tumoresh, si kanceri i gojës, fytit, ezofagut dhe heparit. Gjithashtu, disa studime kanë gjetur lidhje ndërmjet duhanpirjes dhe kancerit të gjirit.
Ndikimi i dietës dhe aktivitetit fizik
Janë kryer shumë studime për të gjetur një lidhje mes disa lloje dietash dhe kancerit, por rezultatet ende nuk janë të forta dhe konkluzive. Disa studime dëshmojnë se dieta luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e përhapjes agresive të kancerit të gjirit. Këto të dhëna janë grumbulluar kryesisht në studimet gjeografike, të cilat vërejnë një risk më të ulur në vendet ku dieta tradicionalisht është e varfër me yndyra të faturuara (yndyra që treten më vështirësi nga organizmi). Gjithashtu, duket se kaloritë ditore kanë një lidhje të caktuar me kancerin e gjirit, siç u shpjegua edhe më lart në rastin e mbipeshës. Gjithsesi, studimet nuk arritur ende të provojnë diferenca në dietat e ndryshme të të njëjtit komunitet dhe sidomos marrja e vitaminave si suplement, nuk duket të luajë ndonjë rol. Nga ana tjetër janë duke u shtuar faktet që dëshmojnë se aktiviteti fizik në formën e ushtrimeve ul riskun për t’u prekur nga kanceri i gjirit. Ushtrimet marrin një rëndësi të veçantë tek pacientet që i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale për heqjen e masës kanceroze. Por, gjithmonë shpeshtësia dhe lloji i ushtrimeve që duhet të kryhen nga këto paciente rekomandohen më parë nga mjeku specialist.
Shenjat dhe simptomat e kancerit të gjirit
Në vendin tonë , fatkeqësisht shumica dërrmuese e kancereve diagnostikohen si pasojë e fillimit të shenjave klinike.
Shenja më e zakonshme e kancerit në gji është krijimi i një mase ose një kokrre. Një masë që është e padhembshme, e fortë dhe ka kufij të parregullt, ka shumë gjasa që të jetë kanceroze. Por, duhet të dimë që kanceret e gjirit mund të jenë të butë dhe të rrumbullakët, gjithashtu. Prandaj është e rëndësishme që çdo masë apo kokërr e re, apo ndryshim tjetër i gjirit të kontrollohet nga një mjek specialist me eksperiencë në diagnozën e sëmundjeve të gjirit. Ka raste në të cilat kanceri i gjirit mund të shtrihet në gjëndrat limfatike nën krah dhe të shkaktojë fryrje apo ënjtje, edhe para se tumori origjinal në indin e gjirit të jetë aq i madh sa të mund ta ndjesh. Gjëndrrat limfatike të ënjtura duhen konsideruar gjithashtu një shenjë e mundshme kanceri, të cilat duhen kontrolluar me kujdes nga një mjek specialist. Shenja të tjera të mundshme të kancerit të gjirit janë ë njtja e një pjese apo e gjithë gjirit, edhe nëse nuk ndjehet ndonjë masë, irritim apo dëmtim tjetër i lëkurës së gjirit dhimbje në gji apo në thithin e gjirit, gropëzim, (kthim nga brenda i thithës), skuqje, trashje apo zënie kore e lëkurës së gjirit. rrjedhje nga gjiri që nuk është qumësht. Duhet theksuar se këto shenja nuk janë specifike dhe në 90 për qind të rasteve ato vërehen edhe në individë të tjerë të cilët nuk diagnostikohen me kancer të gjirit.
Rreziku shfaqet më shumë në situata të tilla kur:
- Nëna, motra apo gjyshja juaj kanë pasur kancer të gjirit.
- Jeni mbi 40 vjeç, sepse rreziku rritet bashkë me moshën.
- Periodat ju ka filluar para moshës 12 vjeç.
- Periodat ju kanë ndaluar pas moshës 50 vjeç.
- Nuk keni lindur kurrë fëmijë.
- Keni lindur fëmijën e parë mbi 30 vjeç.
- Jeni mbipeshë.
- Pini tepër duhan dhe alkool .
- Kryeni aktivitet të pakët fizik.
Domosdoshmëria e diagnostikimit të hershëm
Sa më herët që të identifikohet sëmundja, veçanërisht në rastet kur shenjat klinike mund të mos jenë bërë të dukshme, aq më të larta janë shanset për ta kuruar në mënyrë efikase kancerin e gjirit. Të dhënat e paraqitura në vijim dëshmojnë se kanceri i gjirit së bashku me kancerin e qafës së mitrës kanë potenciale më të larta të shërimi, në rast se ato do të zbulohen në stadet më të hershme. Mbijetesa në përqindje për kancerin e gjirit llogaritet nga 60-80 për qind, në varësi të aplikimit të depistimit
Mosha, rekomandime mbi kryerjen e mamografisë
Për femrat e moshës 20-30 vjeç nuk rekomandohet kryerja e mamografisë. Këto grupmosha duhet të bëjnë ekzaminimin klinik të gjirit tek mjekë apo mami të trajnuar në shërbimin parësor. Shpeshtësia rekomandohet çdo dy apo tre vjet. Këshillohet edhe vetë-ekzaminimi i gjirit çdo muaj bazuar në instruktimin e dhënë nga mjeku. Kontrolli me mamografi mund të nisë rreth moshës 35-50 vjeç, por vetëm në rastet e rekomanduara nga mjeku. Pas moshës 50 rekomandohet kryerja e mamografisë depistuese çdo dy vjet. Disa studime dëshmojnë se ekziston potenciali që nëse arrihet një mbulim i kënaqshëm i popullsisë me depistim (kontroll) mund të parandalohen 30 për qind e vdekjeve nga kanceri i gjirit në këtë grupmoshë. Mamografia është një lloj radiografie e gjirit. Mamografia e kap kancerin e gjirit shumë herët, atëherë kur ndryshimet nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë. Mamografia mund ta dallojë kancerin e gjirit rreth 2 vjet para shfaqjes së shenjave, kur ka akoma shanse për tu trajtuar me sukses. Gati gjysma e kancereve të gjirit që arrijnë të kapen nga mamografia janë akoma të vegjël dhe mund të hiqen lehtë, pa hequr gjithë gjirin dhe pa lënë shenjë.
Ja kur duhet bërë “eko” e gjirit
“Eko” e gjirit është një lloj tjetër kontrolli i gjirit që kryet nga mjeku radiolog/onkolog. Të gjitha femrat e moshës 20 deri 40 vjeç duhet të bëjnë një “eko” çdo vit. Nëse 3 “eko” rresht dalin normal, atëherë ato duhet të vazhdojnë ta kryejnë rregullisht “eko” çdo 3 deri 5 vjet.