Në vitin 2013, disa nga specialistët më të mirë të ushqimit në botë, gjendeshin në një laborator, për të parë copën e parë të mishit sintetik. Pjata me biftekun e vogël, ishte prova mahnitëse se është më në fund e mundur që mishi të prodhohet në mënyrë industrial, pa therjen e asnjë kafshe.
Kishte veçse një problem:ajo copë mishi kishte kërkuar 2 vjet kohë, dhe 300.000 dollarë. Por që atëherë kostoja e prodhimit të këtij mishi të teknologjisë së lartë, ka rënë ndjeshëm.
Në janarin të vitit 2016, kompania “Memphis Meats” prodhoi 1 kg mish sintetik për rreth 1.000 dollarë, dhe sot kompani të reja dhe organizata jofitimprurëse po punojnë mbi prodhimin e produkteve të tjera mishit identik me atë të derrit, pulës, gjelit të detit, peshkut apo edhe nënprodukteve shtazore si qumështit, vezës dhe madje edhe lëkurës.
Shkencëtari holandez, Mark Post, që krijoi biftekun sintetik 300.000 dollarësh, besonte se do të ishte e mundur të krijohej një version i përmirësuar i patentës së kësaj shpikje, edhe për një çmim prej rreth 10 dollarësh për një copë, nëse teknologjia e tij mund të zgjerohet deri në nivelin e një procesi ushqimor industrial.
Pra, edhe sa kohë duhet të presim, që të jemi në gjendje të blejmë mish artificial, në formën e salçiçeve apo bërxollave në supermarketet tona? Dhe a do të na shijojnë ato si mishi i kafshëve?
Mishi i prodhuar në laborator, etiketohet me shumë emra të tjerë:mish i kultivuar, mishi in vitro, mish sintetik, dhe prodhohet nga qelizat muskulore që rriten në serume me lëndë ushqyese, që i shndërron ato në muskuj të ngjashme me fibrat.
Produktet e thjeshta shtazore, si qumështi artificial, mund të krijohen nga modifikimet gjenetike që kryhen për të prodhuar proteinat që gjenden tek qumështi ose vezët, të cilat pastaj nxirren dhe përzihen në sasinë e duhur. Në fakt, duke përdorur “bujqësinë qelizore”, s’ka asnjë arsye pse shkencëtarët të mos kultivojnë mishin artificial, me tipare nga një kombinim i kafshëve, ose të prodhojnë mish në laborator, me yndyrna apo vitamina më të shëndetshme.
Në këtë mënyrë ne mund të shijonim edhe mishin e kafshëve të rralla, të cilat askush nuk do të ëndërronte të therren për ushqim. Për shembull një biftek me mishin e ariut Panda? Tani për tani, gara po zhvillohet mbi produktet e para të kultivuara të mishit. Nevoja për të gjetur alternativa të besueshme ndaj mishit tradicional, është urgjente.
Sipas OKB-së, bujqësia tradicionale, harxhon një sasi të madhe toke dhe ujt, për të siguruar kaloritë e ushqimit për kafshët, krahasuar me përfitimet, dhe përsa i përket emetimeve të gazrave serrëe, është po aq e keqe sa edhe djegia e lëndëve fosile.
Të ardhurat në rritje në vendet në zhvillim, nënkuptojnë se më shumë njerëz po hanë mish se kurrë më parë, duke e zvogëluar sasinë e tokës në dispozicion për kulturat shumë më të nevojshme, dhe duke kontribuar kësisoj edhe tek ndryshimet klimatike. Natyrisht, mundësia për të kultivuar mish në mënyrë artificiale, mund të ketë një ndikim pozitiv edhe në mirëqenien e kafshëve.
Pra, kur do të jemi në gjendje ta blejmë një mish të tillë? Dy kompanitë “Memphis Meats” dhe “Mosa Meat”, një degë e laboratorit që zotëron shkencëtari holandez Post, shpresojnë të kenë çmime konkurruese duke nisur nga vitit 2020. “Përsa i përket shitjeve komerciale, unë them se do të duhen edhe 4-5 vite. Do të jetë ende një biftek disi i shtrenjtë, rreth 10 dollarë.
Pas disa vitesh të tjera të prodhimit komercial, çmimi do të fillojë të bjerë më tej”- thotë Post. Shkenca ku bazohet prodhimi i mishit në laborator, është mjaft e thjeshtë. Rritja e qelizave që formojnë mishin e kultivuar, nuk është jashtëzakonisht e ndryshme nga metodat e tjera të “kultivimit të qelizave”, që biologët i kanë praktikuar që nga fillimi i viteve 1900.
Sfida, me të cilën ballafaqohet aktualisht Post dhe të tjerët që operojnë në këtë fushë, është përmirësimi i procesit. Rritja e qelizave me një rritëm industrial, kërkon një “bioreaktor” që mund të ofrojë kushte të përsosura për rritjen, por edhe lëvizje dhe stimulim për të ushtruar qelizat.
Bioreaktori më i madh ekzistues i aftë për ta bërë këtë, ka një vëllim prej 25.000 litrash (100-fishin e madhësisë së një pishine olimpike), që sipas Post mund të prodhojë mish të mjaftueshëm për të ushqyer 10.000 njerëz. Prandaj, nevojiten shumë pajisje të këtij lloji, për të ndërtuar një fabrikë të madhe të mishit të përpunuar.
Një ide alternative, është inkurajimi i dyqaneve të mishit dhe restoranteve, që të kultivojnë vetë mishin që shesin apo servirin në një shkallë më të vogël. Në shtator 2016, “SuperMeat”, një kompani izraelite e bioteknologjisë, nisi një fushatë për mbledhjen e 100.000 dollarëve, për të zhvilluar pajisje për ndërtimin e pajisjeve që mundësojnë kultivimin e mishit të pulës, dhe që mund të “përdoren në dyqane ushqimore, restorante dhe pse jo edhe në shtëpitë e konsumatorëve” .
Një tjetër problem, ka të bëjë me serumin e pasur me lëndë ushqyese që ushqen qelizat. Serume të suksesshme, kanë qenë një koktej sheqernash, aminoacidesh dhe gjak kafshësh. Serumet me gjak, përbëjnë një burim shqetësimi për vegjetarianët dhe veganët. Ndërkohë “nuk do të kishte serume të mjaftueshme, për të rritur të gjitha qelizat që nevojiten për të prodhuar sasi të mëdha mishi”- thotë Post.
Ai dhe kompanitë e tjera që operojnë në këtë fushë, po punojnë për serume alternative pa gjak. Por kjo nuk është e lehtë. “Në gjak ekzistojnë dhjetëra mijëra substanca të ndryshme, dhe ka disa përbërës magjikë, që kërkohen për çdo lloj qelize të ndryshme”.
Po sa i shijshëm është një mish i prodhuar në laborator? Specialistët që provuan mishin e parë, thanë se ai ishte paksa i thatë. Ndaj, Mark Post ka filluar të kultivojë qelizat yndyrore dhe inde e lopëve, të cilat ia shtojnë mishit lagështinë, kur përzihen me fibrat e muskujve.
Mari Gibons, studiuese nga Universiteti Shtetëror të Karolinës së Veriut, e angazhuar në prodhimin e mishit të kultivuar, mendon se mishrat e kultivuar mund të jenë më të shijshëm se mishi tradicional, megjithëse shton:”Për momentin, prioriteti ynë është të prodhojmë proteina ushqyese në një shkallë të madhe. Dhe pastaj të punojmë më shumë mbi përbërësit e shijes”. / ScienceFocus – Bota.al