Gjykata e Tiranës tejkaloi kërkesën e Prokurorisë të enjten dhe vendosi të shpallë fajtor pedagogun Ilir Ciko për një koment të tijin në Facebook, ku ankohej për ndryshimin e datës së skandencës së një produkti të blerë në supermarketin Conad në pronësi të kompanisë “Food Trade”.
Vendimi u shpall të enjten nga gjyqtari Artan Gjermeni, i cili i dha të drejtë padisë penale të ngritur nga kompania për shpifje dhe e dënoi Cikon me gjobë. Një seancë më parë, përfaqësuesi i Prokurorisë kishte kërkuar pafajësi për Cikon, duke argumentuar se qëndrimi i tij ishte individual dhe se nuk kishte për qëllim dëmtimin e imazhit të kompanisë.
“Këtu është e drejta e shprehjes dhe e konsumatorit që nëpërkëmben. Nuk ka çmim,” pohoi Ciko i cili shtoi më tej se ky proces nuk ka trajtuar problematikën e vërtetë.
“Raporti me Conad për gjyqin për shpifje është i papërfillshëm krahasuar me të drejtën që kërkoj për abuzimin që kanë kryer. Ky është thelbi! Gjyqi ka tentuar të zhvendosë vëmendjen nga problemi dhe si formë presioni ndaj meje. Unë provat i kam dhe e kam thënë publikisht që do shkoj deri në gjykatën e Hagës për krime ndaj njerëzimit,” tha ai.
Pyetja ndaj gjyqtarit Artan Gjermeni mbi argumentet e shpalljes fajtor të Cikos mbeti pa përgjigje. “Vendimi do të gjendet në sekretari gjatë javës në vijim,” u përgjigj përmes mesazhit gjyqtari.
Gjatë seancës parardhëse të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, profesori Ilir Ciko deklaroi se “është detyrë e çdo qytetari të ngrejë zërin” për raste që cenojnë konsumatorin dhe kërkoi pafajësi ndaj padisë penale për shpifje të ngritur nga kompania “Food Trade”, që menaxhon rrjetin e supermarketeve Conad.
Gjatë konkluzioneve përfundimtare Ciko evidentoi faktin se Komisioneri për Mbrojtjen e Konsumatorit ishte ende i pakonstituuar për shkak të mungesës së përfaqësuesve të qeverisë në të dhe kërkoi nga gjykata që të njihte e të mbronte të drejtat e konsumatorëve.
Konflikti gjyqësor mes Ilir Cikos dhe Conad nisi në shkurt të këtij viti pas një komenti në Facebook, ku shkruante se një pako me kërpudha të blera në një nga supermarketet Conad në Tiranë kishte datë prodhimi në etiketën në shqip bashkë me çmimin, ndërsa poshtë saj, në etiketën italiane, data e skadencës ishte fshirë. Ciko ankohej edhe për çmimin më të lartë në lekë, në krahasim me atë të etiketës origjinale në euro.
Kompania “Food Trade” që ngriti padinë pretendoi se nuk e ka hequr datën e mëparshme të skandencës, madje sipas saj, produktet e freskëta nuk mbajnë datë skandence. Duke shfrytëzuar nenin 120 të Kodit Penal ajo e paditi Cikon penalisht për shpifje. /Reporter.al