Qeveria pritet të ndërmarrë një nismë ligjore për faljen e rreth 36 mijë faturave të energjisë elektrike, që lidhen me detyrime dhe gjoba të vendosura ndaj abonentëve gjatë periudhës 2008–2013. Sipas verifikimeve të kryera nga institucionet, këto detyrime janë vendosur në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se është ngritur një grup pune për shqyrtimin e rasteve, ndërsa në vijim do të hartohet një ligj i posaçëm për mundësimin e faljes së tyre.
“Një nga çështjet më të rëndësishme që është ngritur gjatë kësaj periudhe lidhet me disa detyrime dhe gjoba të vendosura për abonentët e energjisë elektrike gjatë periudhës 2008–2013. Unë kam ngritur menjëherë një grup pune për t’i vlerësuar këto detyrime. Kemi konstatuar që ato janë të padrejta dhe janë vendosur në mënyrë të gabuar ndaj këtyre klientëve”, deklaroi Karakaçi.
Sipas ministrit, nisma synon të zgjidhë një problematikë të mbartur prej vitesh dhe të lehtësojë barrën financiare për qytetarët e prekur. Çështja është adresuar në kuadër të ankesave të mbërritura përmes platformës “Fol me Kryeministrin”. Nga 68 rastet që lidhen me përgjegjësitë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, 34 janë zgjidhur, ndërsa 34 të tjera vijojnë të jenë në proces shqyrtimi. Miratimi i ligjit të posaçëm do të mundësojë faljen e detyrimeve për rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike, të krijuara gjatë viteve 2008–2013.







