Sot mbushen 114 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Shqiptarët kudo në botë festojnë sot një nga ngjarjet më vendimtare dhe më të ndritura në historinë kombëtare. Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali dhe përfaqësuesit e trevave shqiptare ngritën flamurin kuqezi dhe shpallën vendin shtet sovran, të lirë dhe të pavarur.
Por pse kjo ditë është kaq e rëndësihsme për popullin shqiptar? Për këtë duhet të shohim historinë. Fundi i sundimit osman dhe zhvillimet dramatike të Luftërave Ballkanike e gjetën Shqipërinë përballë rrezikut të copëtimit territorial. Në këto rrethana të vështira, thirrja e Kuvendit Kombëtar në Vlorë u bë pika e bashkimit për delegatët nga të gjitha krahinat shqiptare. Dokumenti i Pavarësisë, i nënshkruar nga 83 delegatë, sanksionoi vendimin historik që Shqipëria të bëhej “më vehte, e lirë e e mosvarme”.
Pse 28 Nëntori quhet edhe Dita e Flamurit?
28 Nëntori mban peshë të dyfishtë në kujtesën historike të shqiptarëve:
1443: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin kuqezi në Krujë, duke shënuar fillimin e qëndresës së organizuar për liri.
1912: Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke i dhënë Shqipërisë statusin e shtetit të pavarur.
114 vite më pas, 28 Nëntori mbetet jo vetëm një ditë përkujtimi për sakrificën e rilindësve dhe patriotëve, por edhe një moment reflektimi mbi rrugëtimin shtetformues, zhvillimin dhe rolin e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve.







