Kryeministri Edi Rama kërkon që Bashkimi Europian të ndërmarrë një hap të guximshëm drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor, duke i ulur të gjitha vendet kandidate në tryezën europiane, pa ndryshuar procesin e anëtarësimit të bazuar në meritë. Në prag të takimit të liderëve të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Bruksel, Rama u shpreh se ky takim është një moment i rëndësishëm për vendet kandidate, por edhe për shtetet anëtare, për të diskutuar mbi ecurinë e procesit dhe perspektivën e integrimit.
Sipas kryeministrit, një vendim i tillë do të dërgonte një sinjal të fortë si për vendet e rajonit, ashtu edhe për pjesën tjetër të botës. I pyetur për propozimin gjerman, Rama tha se ai është pjesë e diskutimeve, por theksoi se nevojitet një kornizë më e gjerë për integrimin e vendeve kandidate. Sa i përket negociatave të Shqipërisë, kreu i qeverisë tha se vendi po punon çdo ditë me Komisionin Europian dhe se, sipas tij, është në rrugën e duhur për të përmbushur planin e përcaktuar deri në fund të vitit. Megjithatë, ai nënvizoi se një pjesë e procesit varet edhe nga miratimi i teksteve nga Komisioni Europian.
Rama u pyet gjithashtu për hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë dhe ndikimin që kjo mund të ketë në perspektivën europiane të Shqipërisë. Në përgjigjen e tij, ai mbrojti ecurinë e vendit në luftën kundër korrupsionit, duke argumentuar se sot sistemi po e lufton korrupsionin dhe se askush nuk është mbi ligjin. “Gjithçka duhet të kalojë përmes procesit të rregullt ligjor”, deklaroi Rama, duke shtuar se kjo është një arsye që Shqipëria duhet të shihet pozitivisht në procesin e integrimit. Në fund, i pyetur për çështjet e tregtisë dhe zhvillimet që lidhen me Donald Trump, kryeministri tha se nuk kishte informacion për këtë temë, ndërsa theksoi se pret me padurim zhvillimin e tregut të përbashkët europian.








