Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka refuzuar tre ngarkesa me produkte ushqimore gjatë muajit nëntor, me një peshë totale prej 79 tonësh. Mes produkteve të kthyera në vendet e origjinës janë 54 ton mish pule nga Brazili dhe 25 ton produkte gruri nga Kosova, për shkak të parregullsive në dokumentacion dhe etiketim.
Sipas të dhënave të AKU-së, gjatë nëntorit janë kontrolluar 5,277 ngarkesa importi në pikat e inspektimit kufitar. Prej tyre, 1,276 ishin produkte me origjinë shtazore, 2,834 produkte joshtazore dhe 1,167 ngarkesa me produkte për mbrojtjen e bimëve dhe inpute bujqësore. Gjatë kontrolleve janë marrë gjithashtu 167 mostra për analiza laboratorike, të cilat deri më tani nuk kanë rezultuar jokonforme.
Dy prej ngarkesave të refuzuara përbëhen nga 54 ton mish pule, të importuara nga kompania ZICO sh.a. me origjinë nga Brazili. Produktet u bllokuan në Pikën e Inspektimit Kufitar në Durrës dhe do të rikthehen në vendin e origjinës, pasi të dhënat në certifikatat shoqëruese nuk përputheshin me informacionin e regjistruar në sistem.
Ndërkohë, në PIK Morinë është refuzuar edhe një ngarkesë prej 25 tonësh produkte gruri, të importuara nga subjekti Mirela Bërdufi, me destinacion kthimin në Kosovë. Ngarkesa përfshinte 7 ton miell gruri të tipit 400 dhe 500, si dhe 18 ton produkt “Hime Gruri”. Gjatë kontrollit janë konstatuar mangësi në etiketim dhe dokumentacion. Në një pjesë të produkteve mungonin ose nuk ishin të lexueshme datat e prodhimit dhe skadencës, ndërsa kishte mospërputhje në përmbajtjen e proteinave mes ambalazhit dhe dokumenteve shoqëruese.
Gjithashtu, mungonin numrat e lotit, të nevojshëm për gjurmueshmërinë e produkteve, si dhe analiza për praninë e aflatoksinës në miell. AKU bën me dije se kontrollet në pikat kufitare vijojnë me qëllim parandalimin e hyrjes së produkteve jokonforme në tregun shqiptar dhe garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorët.







