Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka sqaruar procedurën që duhet të ndjekin qytetarët kur, gjatë shqyrtimit të aplikimeve për shërbime kadastrale, u kërkohet të plotësojnë dokumentacionin me dokumente shtesë.
Përmes një njoftimi, ASHK bën të ditur se dokumentet mund të dorëzohen elektronikisht përmes platformës e-Albania, duke përdorur shërbimin “Akt Verifikimi” (AV0), i cili ofrohet pa pagesë. Sipas Kadastrës, në rastet kur lind nevoja për dokumentacion shtesë, qytetarët njoftohen përmes një dokumenti të titulluar “Kërkesë për plotësim dokumentacioni”, i cili dërgohet në seksionin “Dokumentet e Mia” në llogarinë personale në e-Albania.
Për të vijuar procedurën, qytetarët duhet të identifikohen në platformë dhe të përzgjedhin të njëjtin shërbim për të cilin kanë kryer aplikimin fillestar. Më pas, duhet të klikojnë opsionin “Dërgoni AV”, të plotësojnë të dhënat duke iu referuar aplikimit fillestar dhe të ngarkojnë dokumentet e kërkuara. ASHK thekson se dokumentacioni duhet të jetë në formatin PDF. Në rastet kur përbëhet nga disa faqe, ato duhet të bashkohen në një skedar të vetëm përpara ngarkimit. Procedura përfundon me klikimin e butonit “Dërgo”.
Dërgimi elektronik i dokumenteve përmes shërbimit AV0 nuk shoqërohet me pagesë shtesë. Në rastet kur kërkohet dokumentacion origjinal, qytetarët duhet ta dërgojnë atë edhe fizikisht, nëpërmjet shërbimit postar, në adresën e Drejtorisë Vendore të ASHK-së që po trajton aplikimin. Ky sqarim synon të lehtësojë procedurat për qytetarët që kanë aplikime në proces pranë Kadastrës, duke u mundësuar plotësimin e dokumentacionit online, pa qenë e nevojshme paraqitja fizike vetëm për dorëzimin e dokumenteve.







