Inteligjenca artificiale Diella do të përfshihet në të gjitha fazat e prokurimit publik, nga përcaktimi i fondit limit deri te shqyrtimi dhe vlerësimi i ofertave. Kryeministri Edi Rama prezantoi modelin e ri të Prokurimeve të Përqendruara, duke bërë të ditur se ministritë dhe institucionet qendrore do të planifikojnë dhe realizojnë procedurat përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP).
Gjatë prezantimit, Rama deklaroi se sistemi i ri synon të kombinojë arkitekturën ligjore europiane, centralizimin strategjik të prokurimeve dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në analizën e riskut dhe hartimin e dokumentacionit. Sipas kryeministrit, një prej ndryshimeve kryesore do të jetë krijimi i një dosjeje virtuale për çdo biznes, ku do të përmblidhen të dhënat e tij nga më shumë se 40 regjistra publikë. Në këtë mënyrë, kompanitë nuk do të kenë më nevojë të mbledhin dokumente të ndryshme për të marrë pjesë në tenderët publikë.
“Çdo biznes do të ketë një dosje virtuale, me të dhëna nga mbi 40 regjistra publikë, të cilët do të mund të hapen me një klik të vetëm. Kështu do të bëhet e gjithë puna që sot biznesi e bën duke angazhuar njerëz, duke harxhuar kohë dhe duke ndeshur pengesa të natyrave të ndryshme”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Diella do të mbikëqyrë përcaktimin e fondeve limit, shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave, ndërsa po përgatiten algoritme inteligjente për të gjitha hallkat e procesit. Ai e cilësoi këtë ndryshim si një transformim në funksionimin e pushtetit ekzekutiv, me synimin për të përmirësuar eficiencën e shpenzimeve publike dhe për të garantuar transparencë në procedurat e prokurimit. Edhe ministrja virtuale Diella prezantoi rolin e saj në sistemin e ri, duke iu referuar si shembull funksionimit të e-Albania, ku qytetarët mund të kërkojnë dokumentet dhe shërbimet duke përdorur gjuhën e tyre të përditshme. Modeli i ri i prokurimeve të përqendruara parashikon që Operatori i Blerjeve të Përqendruara të marrë një rol qendror në planifikimin dhe realizimin e procedurave për institucionet qendrore, ndërsa inteligjenca artificiale synon të automatizojë dhe mbështesë procese të ndryshme të këtij sistemi.







