Bashkëpunimi mes universiteteve dhe sektorit privat pritet të marrë një mbështetje të re financiare në periudhën 2027–2029. Sipas objektivave të përcaktuara në relacionin e projektbuxhetit 2027, synohet financimi i 50 projekteve të përbashkëta çdo vit, me qëllim orientimin e kërkimit shkencor drejt nevojave konkrete të sipërmarrjes dhe ekonomisë.
Kjo nismë vjen në një kohë kur Shqipëria vijon të ketë investime të kufizuara në kërkim dhe zhvillim. Sipas raportit të Komisionit Europian për vitin 2025, shpenzimet në këtë sektor arritën në vetëm 0,19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2024, ndërsa objektivi kombëtar është arritja e nivelit prej 1% të PBB-së deri në vitin 2030.
Edhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) evidenton se lidhjet mes universiteteve dhe sipërmarrjeve mbeten të dobëta. Mungesa e mekanizmave të qëndrueshëm për transferimin e njohurive dhe teknologjisë konsiderohet një nga pengesat për zhvillimin e inovacionit në sektorin privat.
Paralelisht, projektbuxheti parashikon mbështetjen e 112 kërkuesve shkencorë çdo vit, përmes granteve për projektet kërkimore në universitetet publike.
Një tjetër objektiv lidhet me rritjen e pjesëmarrjes së institucioneve shqiptare në programin europian Horizon Europe. Përmes kësaj skeme synohet mbështetja e 20 projekteve në vitin 2027, 20 të tjerave në vitin 2028 dhe 23 projekteve në vitin 2029.
Sfida kryesore mbetet jo vetëm rritja e financimit, por edhe kthimi i kërkimit shkencor në rezultate të prekshme për ekonominë, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja, transferimin e teknologjisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare.







