Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet për Paketën Fiskale 2027, duke iu përgjigjur kritikave për masat e propozuara dhe dokumentet e bëra publike. Përmes një reagimi, Rama i cilësoi kritikat si “sallatë urrejtjeje dhe padijeje” dhe deklaroi se qeveria do të prezantojë qëndrimin e saj ditën e nesërme, me miratimin e buxhetit të ri. Kryeministri e cilësoi buxhetin e ardhshëm si të parin në historinë e vendit që kalon pragun e 10 miliardë eurove, ndërsa e përshkroi atë si paketën më ambicioze të rishpërndarjes së rritjes ekonomike.
“Flisni flisni për masat e reja fiskale, grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes me dokumenta pune të dalë gjysma-gjysma, se nesër e ka radhën qeveria të thotë fjalën e saj me miratimin e buxhetit të parë në histori që kalon pragun e 10 miliardë Eurove dhe paketës më ambicioze të rishpërndarjes së rritjes ekonomike🇦🇱👊🦅🇪🇺”, reagon Rama.
Reagimi vjen në një kohë kur propozimet për Paketën Fiskale 2027 kanë nxitur diskutime, veçanërisht për rritjen e tatimit mbi fitimin e korporatave nga 15% në 17%, rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% dhe uljen e pragut të regjistrimit në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Miratimi i buxhetit pritet të qartësojë qëndrimin përfundimtar të qeverisë mbi politikat fiskale dhe shpërndarjen e fondeve publike për vitin e ardhshëm.









