Pedagogët do të bojkotojnë mësimdhënien në të gjitha universitetet publike të Shqipërisë, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që protestojnë. Sindikata u bën thirrje kolegëve të marrin pjesë çdo ditë në protestë, ndërsa bojkoti do të vijojë deri në një njoftim të dytë. Kryesia e Sindikatës së Universiteteve ka vendosur njëzëri shpalljen e bojkotit të mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të Republikës së Shqipërisë, duke filluar nga 21 tetori 2026.
Vendimi është marrë në mbledhjen e zhvilluar më 20 tetor, në sheshin ku po protestojnë studentët dhe nxënësit shqiptarë. Sipas sindikatës, bojkoti synon të shprehë solidaritetin me protestuesit dhe të mbrojë të drejtën e tyre për protestë paqësore. Në njoftimin e saj, sindikata thekson se studentët kanë protestuar prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, sigurinë e jetës dhe pronës, si dhe për llogaridhënie. Sipas pedagogëve, kërkesave të tyre nuk u është përgjigjur dialogu, por heshtja dhe, që prej 13 tetorit, edhe përdorimi i forcës ndaj protestuesve.
“Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë”, thuhet në njoftim.
Katër kërkesat e sindikatës
Sindikata e Universiteteve i kërkon institucioneve përgjegjëse:
- Ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë.
- Hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës që prej 13 tetorit, si dhe vënien para përgjegjësisë të personave që e kanë urdhëruar apo ushtruar atë.
- Trajtim të ligjshëm dhe dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar.
- Plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve.
Gjithashtu, sindikata u bën thirrje rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë publik që të respektojnë vendimin dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve apo studentëve pjesëmarrës në bojkot.
Pedagogët do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00
Përmes njoftimit, sindikata sqaron se bojkoti nuk nënkupton braktisjen e auditorëve, por pjesëmarrjen aktive në protestë dhe mbështetjen e studentëve. Pedagogët do të mblidhen çdo ditë, në orën 10:00, përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, për të vijuar mbështetjen ndaj protestuesve. Njëkohësisht, atyre u kërkohet të mbajnë komunikim të vazhdueshëm me studentët, t’u vijnë në ndihmë për materiale didaktike dhe nevoja të tjera, si dhe t’i informojnë se orët e mësimit të bojkotuar do të kompensohen në vijim.
“Ne duhet të jemi zëri dhe mbështetja e tyre kryesore në këto ditë të vështira”, thekson sindikata në deklaratën e saj.
Vendimi do t’u përcillet gjithashtu të gjitha autoriteteve drejtuese të institucioneve publike të arsimit të lartë. Bojkoti do të vijojë deri në një njoftim të dytë.









